Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Policia konfiskon 20 patentë-shoferë për shkelje të rënda në trafik në 24 orët e fundit

Policia e Kosovës ka konfiskuar 20 patentë-shoferë në 24 orët e fundit për shkelje të rënda në trafik.

Organet e rendit bënë të ditur se janë duke vazhduar planin operativ për të ofruar siguri në trafik dhe për të parandaluar aksidentet.

“Gjatë zbatimit të detyrave që dalin nga ky urdhër, policia e trafikut dhe ajo e rendit publik, gjatë 24 orëve të shkuara (11.01.2024), në të gjitha rajonet e vendit kanë vendosur e zbatuar shumë Pika Kontrolli për Vetura (PKV), kështu që janë realizuar gjithsej 570 Pika Kontrolli për Vetura. Për shkelje më të rënda në trafik, ashtu siç parashihet me ligjet në fuqi, Policia e Kosovës ka konfiskuar 20 patentë shoferë”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia e Kosovës ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik, që t’i zbatojnë rregullat dhe shenjat e trafikut në mënyrë që të reduktohen aksidentet rrugore.