Ilustrim

Policia: Grupet kriminale na sulmuan mbrëmë tri herë tek Ujmani

Policia e Kosovës ka treguar se gjatë mbrëmjes së djeshme, tek Liqeni i Ujmanit, zyrtarët policor janë sulmuar tri herë nga grupet kriminale me armë zjarri.

Këtyre sulmeve, sipas njoftimit zyrtarë, në vetëmbrojtje policët janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave apo grupeve kriminale.

“Pikërisht në këtë lokacion mbrëmë grupet kriminale në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore që kanë qenë në detyrë zyrtare, e të cilat në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale” – ka thënë Policia.

Në këtë njoftim zyrtarë policia ka demantuar edhe mediat serbe të cilat kanë bërë disa lajme publike ku është thënë se kinse njësitet speciale të policisë, tek Ujmani kanë maltretuar një qytetar serb.

Policia përmes një reagimi ka thënë se njësitet e tyre janë vendosur në rrugën kryesore që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut, nuk është vendosur në ndonjë objekt të caktuar si dhe nuk ka maltretuar asnjë person apo punonjës.

Tutje është thënë se nga ana e Policisë vetëm ka legjitimuar një person, i cili është thënë se ka qenë duke kryer incizime me telefon në atë lokacion, i cili pas legjitimit ka vazhduar pa asnjë problem.

“Policia me njësitet e saja është vendosur në rrugën kryesore që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut, nuk është vendosur në ndonjë objekt të caktuar si dhe nuk ka maltretuar asnjë person apo punonjës, siç është publikuar në media, por vetëm ka legjitimuar një person i cili ka qenë duke kryer incizime me telefon në atë lokacion, i cili pas legjitimit ka vazhduar pa asnjë problem” – thuhet në reagim.

Policia ka thënë se bllokimi i rrugëve nga grupe kriminale në veri të vendit, sulmet me armë zjarri e bomba çorientuese (shok bomba) ndaj Policisë, sulmi me shok bomba ndaj gazetarëve e ndaj patrullës vëzhguese të EULEX-it, ka tensionuar situatën në veri të vendit dhe ka pamundësuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe qarkullimit të mallrave në dy Pikë Kalimet Kufitare Jarinje dhe Bërnjak.

“Fatmirësisht nga këto sulme nuk është evidentuar ndonjë lëndim ndaj qytetarëve apo personave zyrtar. Përderisa edhe sot vazhdojnë bllokimet e rrugëve në drejtim të dy Pikë Kalimeve Kufitare Jarinje dhe Bërnjak, Policia e Kosovës siç e ka bërë të ditur si masë paraprake të sigurisë ka mbyllur përkohësisht për qarkullim këto dy pika kufitare, të cilat vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe sot” – thuhet tutje.

Ditëve të fundit situata është tensionuar në pjesën veriore të Kosovës. Fillimisht serbët lokal dyshohet të kenë sulmuar zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor pas fillimit të aktiviteteve për mbajtjen e zgjedhjeve që kanë qenë të planifikuara të mbahen më 18 dhjetor, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.

Në zonën veriore të Kosovës, vazhdimisht gjatë kësaj jave ka pasur shok-bomba që janë gjuajtur në vende të ndryshme, e madje edhe ka pasur sulm ndaj njësiteve të Policisë e edhe të gazetarëve.

Informatat nga terreni bëjnë me dije se policët e Kosovës janë të vendosur në pikat e tyre dhe janë duke monitoruar situatën, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme njoftoi se në pjesën veriore deri më tani janë vendosur gjashtë barrikada.

Për shkak të vendosjes së këtyre barrikadave, ministri njoftoi se janë mbyllur edhe dy pikat e kalimit kufitar, ajo në Jarinjë edhe në Bërnjak.

Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq.

Sveçla për sulmet ndaj zyrtareve policor tha se u bënë nga grupet kriminale të organizuara.

Ekipi i KALLXO.com vazhdimisht ka qëndruar në këtë zonë dhe ka raportuar për situatën e krijuar atje.