Policia e Shqipërisë shpëton dy turistë gjermanë që kishin mbetur të izoluar në Gjirin e Gramës

Policia e Shqipërisë dhe ato të Delta Forcës kanë shpëtuar dy turistë gjermanë të cilët për shkak të terrenit të vështirë kishin mbetur të izoluar në gjirin e Gramës.

Në njoftim bëhet e ditur se shërbimet e urgjencës në orët e djeshme të mesnatës kanë njoftuar policinë se dy turistët kishin mbetur të izoluar dhe njëri prej tyre ishte kafshuar nga një qen.

Aktualisht, sipas Policisë të dy turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Mbrëmjen e djeshme, shërbimet e Urgjencës Kombëtare kanë njoftuar sallën operative Vlorë, se për shkak të terrenit të thepisur, 2 turistë gjermanë kishin mbetur të izoluar në Gjirin e Gramës dhe se njëri prej tyre ishte kafshuar nga një qen. Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum dhe ato të Delta Forcës kanë organizuar punën për t’iu shkuar në ndihmë 2 turistëve”- thuhet në njoftim.

Derisa, pas disa orësh kërkimi është arritur të gjenden turistët të cilit kishin shkuar për të eksploruar zonën.

“Pas disa orësh kërkimi, në kushtet e errësirës, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen e 2 turistëve të cilët gjatë eksplorimit, kishin mbetur të izoluar në Gjirin e Gramës, për shkak të terrenit të thepisur të zonës. Kërkimet disa orëshe gjatë mesnatës dhe transportimi me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, finalizuan me sukses angazhimin e shërbimeve për të ndihmuar këta 2 turistë”- thuhet tutje në njoftim.

Tutje, nga policia potencojnë se pas lokalizimit dhe gjetjes, të 2 turistët janë transportuar me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, me qëllim ofrimin sa më të shpejtë të asistencës mjekësore.