Foto: BIRN

Policia e Prokuroria brenda selisë së PD-së, fillon marrja e provave pas protestës (FOTO)

Policia dhe prokurorët janë futur në selinë e Partisë Demokratike në Tiranë, ku ka filluar edhe kryerja e veprimeve procedural dhe këqyrja e ambienteve, ku u zhvillua ngjarja që arriti edhe në përdorimin e dhunës nga protestuesit.

Policia e Shtetit ka njoftuar se në të gjitha ambientet e brendshme të selisë do të bëhet këqyrja dhe do të mblidhet çdo provë e paligjshmërisë që karakterizoi ngjarjen e dhunshme.

Foto: ABC News

“Do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, si dhe do të kryhet me rigorozitet e paanësi të plotë ligjore, çdo veprim procedural i nevojshëm, me qëllim zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve të përfshirë ne akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Gjatë përplasjes për dy orë me radhë mes mbështetësve të Berishës që tentuan futjen në seli dhe mbrojtësve të selisë u përdorën edhe mjete të forta, ndërsa pati edhe të lënduar nga të dyja anët, raporton Abc News.

Foto: ABC News

Pas kësaj, policia ka ndërhyrë në ndihmë të deputetëve që kanë kërkuar ndihmë dhe u bën thirrje protestuesve që të distancohen menjëherë nga aktet e shkatërrimit të pronës dhe aktet e dhunës.

Foto: ABC NewsPO

“Policia e Shtetit u bën thirrje organizatorëve të protestës që të  përmbajnë protestuesit dhe të shmangin çdo rast dhune, sepse do përballen me ligjin”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

“Lufta” Berisha-Basha shpërtheu në 9 shtator 2021, kur Lulzim Basha, me kërkesë të ShBA, pezulloi Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, për shkak se ishte shpallur non grata nga DASh për korrupsion madhor, shantazh ndaj drejtësisë dhe minim të demokracisë.