Kuvendi në Shqipëri kthehet në 'fushëbetejë' - Deputetët e opozitës marrin karriget e mazhorancës dhe i përmbysin në foltore

Ende pa nisur seanca, disa nga deputetët e “Rithemelimit”, kryesuar nga Sali Berisha kanë shkuar në Kuvend duke krijuar kaos.

Sikurse duket nga pamjet, ata kanë marrë karriget e deputetëve të PS dhe i kanë përmbysur ato para Foltores së parlamentit.

“Ne jemi këtu për të kërkuar të drejtat tona kushtetuese, të mohuara në mënyrën më brutale, por që janë interesi, në vlerësimin tonë, i të gjithë shqiptarëve që duan pluralizmin, por janë interesi i të gjithë atyre që votuan kundër qeverisë, për një opozitë të vërtetë dhe jo një opozitë, kryetarin e të cilës, përfaqësuesin e të cilës, ta caktojë Edi Rama. Kjo nuk mund të ndodhë”- u shpreh Berisha.

Në pamje duket edhe kur deputeti i PS Xhemal Qefalia merr karrigen e tij për tu ulur, por nuk lejohet  nga deputetë të opozitës. Ndërkohë, garda ka rrethuar seancën plenare. Deputetët e maxhorancës janë duke mbërritur një pas  një në seancën e plenare.

Gjashtë deputetë të Rithemelimit janë të përjashtuar pas situatës kaotike që krijuan në parlament javën e kaluar. Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka dhe Albana Vokshi janë përjashtuar me 10 ditë, ndërsa deputeti  Saimir Korreshi me 3 ditë.

09:48 Deputeti Salianji: Karriget janë të popullit, prapanicat janë të deputetëve

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka reaguar në rrjetet sociale pas kaosit të krijuar në Kuvend, ku shprehet se nuk do të ketë normalitet, pa u zbatuar kushtetuta. “Karriget janë të popullit, prapanicat janë të deputetëve, nuk do i lejojmë ta tallin me qytetarët! Nuk ka normalitet nëse nuk zbatohet Kushtetuta!“- shkroi Salianji në Facebook.

10:00 Braçe i revoltuar jashtë Kuvendit: Jemi në nivelin e milicisë fashiste.

“Të hysh nëpër sallat e komisioneve dhe të merresh me deputetin që ke përballë jo me argument por me dhunë, duke dhunuar fizikisht jemi në nivelin e milicisë fashiste. Imponimi me dhunë përkundrejt deputetëve është fashizëm. E gjithë se çfarë po ndodhte atje brenda, kishte të bënte thjeshte dhe vetëm me raportet e tyre me drejtësinë. Me raportin e Sali Berishës me drejtësinë. Ju thashë se nuk jam në dijeni. Përdorën dhunën mes parlamentit si reaksion apo si gjuhë përmes drejtësisë. Ky nuk është dialog me ne“- tha Braçe jashtë Kuvendit.

10:07 Nis mes tensionesh seanca parlamentare, deputetët godasin tavolinat

Ka nisur mes tensioneve seanca e sotme plenare, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla tha se ata do ta zhvillojnë seancën plenare në këmbë, ndërsa deputetët e rithemelimit po godasin tavolinat duke penguar seancën.  “Ne do të vazhdojmë në këmbë në nderim të qytetarëve dhe në respekt të tyre.” tha Nikolla në nisje të fjalimit, para se të prezantonte rendin e ditës.

10:22 Tym blu në Kuvend, Salianji ndez tymuese gjatë seancës plenare

Kaosi në seancën plenare është përshkallëzuar edhe me përdorimin e lëndëve tymuese. Teksa mazhoranca po kalon me votim disa projektligje, deputeti Ervin Salianji ndezi nga Foltorja disa tymuese, duke e bërë akoma më të vështirë vazhdimin e seancës.

10:28 Mbyllet seanca plenare në kushte të zakonta

Mes kaosit, zhurmës dhe tymueseve blu është mbyllur kjo seancë e sotme plenare, ndër më të pazakonta ndonjëherë. Maxhoranca ‘injoroi’ kaosin duke miratuar projektligjet e rendit të ditës./Top Channel