Policia e Kosovës për ceremoninë e betimi në Mitrovicë të Veriut: Po kryejmë detyrat si në çdo vend tjetër

Shefi i Operatives Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë së Veriut, majori Shkelzen Xhafa, ka thënë se Policia ka marrë të gjitha masat e nevojshme në aspektin e sigurisë.

Xhafa ka thënë se nuk ka shtim të zyrtarëve policorë në terren.

Ai ka shtuar se Policia po kryen detyra si në çdo vend tjetër në territorin e Kosovës.

“Policia e Kosovës nuk ka ngritur masa të sigurisë dhe nuk ka shtim të zyrtarëve policorë në terren, jemi duke i kryer detyrat policore si në çdo vend tjetër në territorin e Kosovës. Ka zyrtarë policorë të cilët janë të fokusuar në mbarëvajtjen e komunikacionit” – ka deklaruar major Shkelzen Xhafa.

Me rastin e betimit të kryetarit të Mitrovicës Veriore, Erden Atiq dhe situatës në përgjithësi, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka thënë se sigurinë do ta bëjë Policia e Kosovës.

Në një përgjigje për KALLXO.com, KFOR-i ka thënë se vazhdon të monitorojë situatën dhe të mbajë një nivel të lartë të gatishmërisë së njësive të tij për të përballuar çdo skenar të mundshëm, duke pritur që institucionet në Kosovë ta trajtojnë situatën në mënyrë efikase.

Me qëllim që ceremonia e betimit të Atiq të përcillet pa incidente, Policia e Kosovës dje ka thënë për KALLXO.com se ka ndërmarrë masat dhe planet operacionale të nevojshme.

Në një seancë solemne, kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq pritet që të jap betimin sot.

Atiq në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, si kandidat nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka fituar 553 vota.

FOTO – Kjo është situata në Mitrovicë të Veriut para betimit të Erden Atiq si kryetar komune