FOTO - Kjo është situata në Mitrovicë të Veriut para betimit të Erden Atiq si kryetar komune

Pjesëtarë të shumtë të Policisë së Kosovës janë mbledhur tek objekti i komunës së Mitrovicës së Veriut.

Në këtë objekt pritet që sot me seancë solemne të betohet kryetari i sapo zgjedhur, Erden Atiq.

Përpos kësaj, forca të shtuara policore janë parë edhe në stacionin policor në jug.

Vetura të blinduara e edhe topi i ujit është parë i parkuar në stacionin policor në jug.

Me rastin e betimit të kryetarit të Mitrovicës Veriore, Erden Atiq dhe situatës në përgjithësi, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka thënë se sigurinë do ta bëjë Policia e Kosovës.

Në një përgjigje për KALLXO.com, KFOR-i ka thënë se vazhdon të monitorojë situatën dhe të mbajë një nivel të lartë të gatishmërisë së njësive të tij për të përballuar çdo skenar të mundshëm, duke pritur që institucionet në Kosovë ta trajtojnë situatën në mënyrë efikase.

Me qëllim që ceremonia e betimit të Atiq të përcillet pa incidente, Policia e Kosovës dje ka thënë për KALLXO.com se ka ndërmarrë masat dhe planet operacionale të nevojshme.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, Veton Elshani tha se kanë ndërmarrë të gjitha masat që inaugurimi të shkojë si duhet.

“Situata është e qetë njëherë për njëherë, sidoqoftë është delikate mirëpo nuk kemi ndonjë indikacion që do të ketë ndonjë problem nesër” – tha ai.

Elshani tha se Policia e Kosovës i ka ndërmarrë masat që inaugurimi të shkojë si duhet dhe se policët do të jenë në rrugë edhe për të rregulluar trafikun.

Ndër të tjera, zëvendësdrejtori tha se nuk shohin që ka ndonjë problem për këtë situatë.

Atiq në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, si kandidat nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka fituar 553 vota.