Dosja e Prokurorisë për incidentin në "Bon Vivant" - kush kë e qëlloi me armë zjarri?

Mbrëmja e 4 gushtit përfundoi me fatalitet për një 39-vjeçar kurse një numër i madh i personave mbetën të plagosur e të lënduar pas një mosmarrëveshjeje brenda lokalit “Bon Vivant” në kryeqytet.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën e Prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit për të dyshuarit që ishin përfshirë në këtë rast.

Sipas dosjes, Andi Pajaziti, Gëzim Zakuti, Dukagjin Nikollaj dhe tashmë i ndjeri Kastriot Ramadani së bashku me një person ende të paidentifikuar rreth orës 23:17 të 4 gushtit gjendeshin në lokalin “Bon Vivant”.

Sipas Prokurorisë, në afërsi të tavolinës ku ishin duke qëndruar Dukagjin Nikollaj e Kastriot Ramadani si dhe një person tjetër, i cili ende nuk është identifikuar, pranë tyre, duke qëndruar në këmbë, ishin afruar Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti.

Dosja e Prokurorisë shpjegon momentin kur palët nxorën armët e zjarrit dhe filluan të gjuajnë në njëri-tjetrin.

Fillimisht Kastriot Ramadani me të vërejtur se në lokal kishin hyrë Andi Pajaziti e Gëzim Zakuti nxjerr armën e zjarrit nga brezi, e njëjtë kishte vepruar edhe Dukagjin Nikollaj, i cili nxjerr armën nga një çantë që e mbante me vete, ku për një moment fillojnë të përleshen fizikisht Pajaziti me të pandehurin Nikollaj.

Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, Kastriot Ramadani më një shishe qelqi godet në kokë disa herë të pandehurin Andi Pajaziti, e ky i fundit me armë zjarri shkrep në drejtim të Kastriot Ramadanit.  Edhe Kastriot Ramadani kundërpërgjigjet më armë të zjarrit, por nuk është i vetmi, pasi që edhe Nikollaj gjuan me armë zjarri në drejtim të Pajazitit.

Veprime këto që sipas Prokurorisë kanë rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.

Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajazi e Hisni Gecaj ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte Kastriot Ramadani, i cili edhe kishte ndërruar jetë në QKUK.

Gecaj në përshikrimin e dosjes të Prokurorisë rezulton të jetë pjesëtar i FSK-së.

Gecaj në tërë këtë ngjarje kishte mbajtur në posedim një thike duke veprar në kundërshtim me ligjin.

13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Andi Pajaziti sipas Prokurorisë po dyshohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

Vepër penale e cila sipas Kodit Penal të Kosovës është e dënueshme me jo më pak se 10 vite dënim me burgim ose me dënim me burgim të përjetshëm.

Pajaziti sipas Prokurorisë dyshohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit Pajaziti del të jetë recidivist i shumë veprave penale.

Për veprën penale vrasje e rëndë  në tentativë dyshohet Dukagjin Nikollaj, i cili sipas Prokurorisë në kohën e kryerjes së veprës penale gjendej në arrati. I njëjti dyshohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe veprën penalë shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Hisni Gecaj e Gëzim Zakuti dyshohen për veprën penale – pjesëmarrje në rrahje.