Ilustrim Armët e konfiskuara në Zvecan, Foto:KALLXO.com

Për shtatë muaj Policia e Kosovës sekuestroi mbi 500 armë, mes tyre edhe kallashnikovë, snajperë e mitralozë

Në raportet e Policisë së Kosovës në baza ditore, raportohet për armë të ndryshme të cilat janë gjetur nga ana e njësiteve të policisë e që më pas janë sekuestruar për shkak se kanë qenë duke u poseduar në mënyrë të paligjshme nga ana e të dyshuarve.

Në raste të shumta, të vrasjeve, plagosjeve, rasteve të dhunës në familje, apo incidente të tjera të regjistruara në databazën e policisë, janë gjetur armë të llojeve e kalibrave të ndryshme të cilat posedoheshin pa pasur paraprakisht leje nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Të shumta janë rastet kur armë të ndryshme u përdorën edhe në festa e ahengje familjare, e që të dyshuarit për të shtëna armësh u dërguan në mbajtje sepse shkaktuan rrezik të përgjithshëm.

Policia e Kosovës, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se përgjatë periudhës janar-korrik të këtij viti kanë sekuestruar 556 armë të llojeve të ndryshme dhe mijëra copë municion.

Në mesin e armëve që u sekuestruan gjatë këtyre muajve shihen edhe armë automatike të cilat nuk lejohen që të posedohen nga qytetarët apo civilët.

45 kallashnikovë, 2 mitralozë, 2 snajperë, 21 pushkë gjysmë automatike, 1 raketa hedhës, 59 pushkë gjuetie, 16 pushkë ajrore, gjashtë pushkë M48 janë disa prej armëve të cilat hyjnë në kategorinë e armëve të gjata e materialeve plasëse.

Përveç këtyre, armëve të gjata policia në periudhën janar-korrik të këtij viti ka konfiskuar 286 revole, 104 revole me gaz, 11 elektroshokë, 3 armë të tjera apo armë lodër si dhe 8591 copë municion.

Armë të ndryshme të konfiskuara e të sekuestruara bëhen publike në raporte të ndryshme policore.

Dhjetëra raste të raportuara për dhunë në familje, plagosje, përleshje mes personave por edhe në raste të tjera që pasuan me incidente, u identifikuan e më pas u sekuestruan armë të cilët dyshohej se mbaheshin pa leje nga persona të dyshuar.

Ditë më parë KALLXO.com raportoi për një ngjarje tragjike që ndodhi në fshatin Rufc i Vjetër në Lipjan, e që dyshohet nga hetimet e para preliminare se babai, vrau djalin e gruan e më pas edhe veten.

Në vendin e ngjarjes policia gjeti një armë me katër gëzhoja që dyshohet se u përdor për të kryer veprën penale ndërsa në një dhomë tjetër u sekuestrua një armë tjetër me dy fishekë.

Dy armët u sekuestruan për të vazhduar tutje me procedurat hetimore ndërsa në raportin policor nuk përmendet nëse të njëjtat kanë qenë me leje apo pa leje duke u mbajtur nga kryefamiljari që dyshohet se kreu veprën penale.

Gjithashtu javën e kaluar u raportua edhe se një 20 vjeçar kishte shtënë me armë zjarri të tipit “TT” dhe kishte gjuajtur një granatë dore e cila nuk kishte shpërthyer në oborrin e një diskoteke në Gjilan.

Në bastisjen e shtëpisë ku jetonte i riu policia gjeti edhe armë të tjera të cilat i ka sekuestruar e që ishin në pronësi të babait të tij.

Dhjetëra pajisje ushtarake, automatike, lloje të armëve e municionit, uniforma e shenja ishin gjetur javë më parë brenda një veture e cila ishte parkuar vetëm 100 metra larg komunës së Zveçanit gjatë ditës së djeshme, kur edhe u identifikua nga Policia e Kosovës.

Më saktësisht brenda veturës ishin gjetur, 9 zolla, 2 lansues, 2 ossa, 1 predhë e minahedhësit, 21 granata dora, 20 predha të trombolinit, 2 mbushës të barutit, 10 armë të gjata automatike,një revole, një shurdhues i armëve, 51 karikatorë të armëve të gjata, 5 karikatorë për armë të shkurta, 5756 fishekë të kalibreve të ndryshme, 18 koktej molotovi, 17 mjete piroteknike, 14 mjete tymuese, 5 thika ushtarake, 11 jelekë antiplumb dhe jelekë taktik, 9 uniforma ushtarake, 1 palë dylbi, një maskë për helm e gaz, një dyshek ushtarak, 19 emblema të “Brigadës së Veriut”, 3 radiolidhje dhe mbushës, një sasi e narkotikëve.

Këto armë u sekuestruan ndërsa deri më tani nuk ka ndonjë njoftim nëse dikush është arrestuar për këtë çështje.

Çka përcakton Ligji për Armët?

Në Kosovë, ekziston Ligji për Armët që përcakton saktësisht se cilat janë mënyrat kur një armë mbahet me leje dhe në cilat kategori hynë armët e gjata, të shkurtra, materialet plasëse e municioni.

Në bazë të Ligjit për Armët, armët e zjarrit të cilat janë të ndaluara për posedim për qytetarë janë, predhat ushtarake plasëse, armët automatike, armët e kamufluara si një mjet tjetër, municion me shkallë të lartë depërtuese, në të cilat hyjnë edhe predhat e gomës për menaxhimin e turmës, municion me predhë shpërndarëse, armë zjarri me zhurmëmbytës të montuar, armët e zjarrit me tytë te kalibër mbi 12.7 milimetra, mjetet plasëse dhe pjesën e tyre, armët për përdorim të agjentëve kimik, armët me elektroshok apo paralizues, municion gjurmëlënës.

Të tjera që nuk lejohen janë edhe municionet e kategorive të ndryshme duke nisur nga ai me veprim të dyfishtë e deri te municioni me kapacitet depërtues në antiplumba.

Armët me qëllime industriale, armët dekorative dhe imitimet e armëve apo armët të janë të çaktivizuara nuk hyjnë në kategorinë që konsiderohen armë me anë të Ligjit për Armët.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, përcakton ndëshkueshmëri për personat që posedojnë armë pa leje.

Sipas Nenit 366, kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri 7.500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

Nëse vepra penale përfshin më shumë se katër armë ose më shumë se 400 fishekë, kryesi dënohet me burgim prej dy deri në dhjetë vjet.

Në rast se armët që janë poseduar pa leje janë përdorur, dënimet variojnë nga 1 deri në 10 vite burgim.