‘Platforma e Shoqërisë Civile për Dialog’ kërkon transparencë nga qeveria

‘Platforma e Shoqërisë Civile për Dialog’ përmes një reagimi publik ka kërkuar që procesi i dialogut me Serbinë të zhvillohet mbi parime të mirëfillta të transparencës dhe llogaridhënies së Qeverisë para Kuvendit dhe publikut të gjerë.

Ky reagim i shoqërisë civile vjen pas takimit në Uashington më 4 shtator ku u nënshkruar një marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe pas një takimi tjetër mes të dyja palëve në Bruksel pak ditë më parë.

“Ne, anëtarët e shoqërisë civile po i ndjekim me vëmendje zhvillimet në lidhje me procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përkundër kërkesave të vazhdueshme për një rol të shtuar dhe përfshirje të SHBA-ve në dialog, ne shprehim shqetësimin tonë për mungesën e transparencës që ka shoqëruar procesin e arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington. Për më tepër, mbeten ende të panjohur hapat e ardhshëm drejt zbatimit të saj”, thuhet në reagim.

Sipas kësaj platforme, duke ndjekur praktikë të njëjtë, Qeveria po vazhdon takimet në Bruksel, ku është paralajmëruar mundësia e arritjes së një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Sidoqoftë, pjesëtarët e shoqërisë civile thonë se përfaqësuesit e Kosovës nuk kanë ofruar detaje në lidhje me agjendën, temat dhe pozicionin e Kosovës në këto takime në Bruksel.

“Qeveria e vendit si bartëse e këtij procesi nuk ka qenë transparente as ndaj Kuvendit si organi më i lartë mbikëqyrës i politikës së jashtme. Raportimet e deritanishme të Qeverisë në Kuvend në lidhje me dialogun kanë qenë vetëm sipërfaqësore, duke mos ofruar informacione konkrete për zhvillimet në kuadër të këtij procesi”, thuhet më tej në reagim.

Sipas tyre, Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë me deputetët as platformën shtetërore për dialogun me Serbinë dhe nuk e ka bërë publik këtë dokument as për qytetarët.

“Mungesa e informacionit në lidhje me dialogun ka shkaktuar konfuzion dhe pasiguri tek qytetarët për rezultatet e pritura të këtij procesi”, thekson “Platforma e shoqërisë civile për Dialog”.

Para shkuarjes në Uashington, kryeministri i Kosovës Abdullah Hoti në Kuvend kishte deklaruar se në takim platforma e tij do të ishte Kushtetuta e Kosovës dhe kërkesa për njohje reciproke me Serbinë, pa dhënë detaje të tjera.

Hoti ndërkaq ka kërkuar të raportojë në Kuvend edhe pas takimit të 4 shtatorit.