‘Ping-pongu’ pozitë-opozitë në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së

Për të dytën herë një Komision ad-hoc ka intervistuar kandidatët për anëtarë të bordit të RTK-së. Procesi i parë u kritikua nga pozita për ‘kontaminim’ të vlerësimit nga deputetët opozitar ndërsa në procesin e mbajtur më 28.02.2024 opozita kritikoi mazhorancën për poentimin e tyre.

Albinot Hamiti (237 pikë), Albinot Maloku (234 pikë), Besa Maxhuni (206 pikë), Besnik Boletini (203 pikë), Arta Berisha (203 pikë) dhe Dritan Shaipi (183 pikë), janë emrat e kandidatëve për anëtarë të bordit të Radio Televizionit të Kosovës të cilët do të shkojnë në Kuvend për votim.

Ndërsa Oliver Vujoviq (180 pikë ) dhe Nenad Janiçeviq (159 pikë) janë dy kandidatët të cilët janë poentuar më së shumti nga Komisioni ad-hoc për një pozitë të lirë si anëtar i bordit të RTK-së nga radhët e komunitetit serb.

Lëvizja FOL e ka cilësuar jotransparent, jomeritor dhe të pa integritet procesin e intervistimit të kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Kjo organizatë e ka konsideruar shqetësuese mosrespektimin e parimit të meritokracisë dhe dallimet në vlerësimin e kandidatëve nga ana e anëtarëve të Komisionit “për të njëjtin kandidat”.

Në mes të deputetëve të pozitës dhe opozitës, pjesë të këtij komisioni vlerësues, ka pasur dallim të madh në poentimin e tyre karshi kandidatëve.

Poentimi maksimal për një kandidat në këtë proces ka qenë 30 pikë, ndërsa poentimi minimal nuk është diskutuar, përveç atëherë kur deputeti  i LVV-së, Valon Ramadani, ka kërkuar nga deputetët e tjerë që të dakordohen se “nuk ka poentim 0”.

Me nga 30 pikë aq sa ishte maksimumi, deputetët e pozitës kanë poentuar ish kryetarin e bordit të RTK-së, Besnik Boletini dhe ish nënkryetaren Arta Berisha.

Boletini dhe Berisha janë renditur në mesin kandidatëve më të poentuar nga Komisioni, ndërsa ish anëtarja tjetër e bordit të RTK-së, Shukrije Rama ka mbetur jashtë listës së kandidatëve që shkojnë në Kuvend.

Deputetët opozitar, Boletinin e Berishën e kanë poentuar me më pak pikë se deputetët e pozitës, përkatësisht, Armend Zemaj nga LDK ka poentuar me nga 4 pikë Berishën e Boletinin; Bekim Haxhiu nga PDK i ka poentuar me nga 5 pikë; Agim Veliu nga LDK me nga 4 pikë, Time Kadrijaj nga AAK me nga 5 pikë.

Ndërsa ish anëtarja e bordit të RTK-së, Shukrije Rama është poentuar me 4 pikë nga Njazi Isaku (LVV), me 5 pikë nga Fidan Jilta (grupi multietnik), me 5 pikë nga Valon Ramadani (LVV), 5 pikë nga Yllëza Hoti (LVV), me 7 pikë nga Fitim Haziri (LVV) e 4 pikë nga Besim Muzaqi (LVV).

Ndërsa me 30 pikë Rama është poentuar nga Armend Zemaj, Agim Veliu, Time Kadrijaj e Isak Shabani.

Pra Shukrije Ramën, ish anëtaren e bordit të RTK-së, pozita e ka vlerësuar me jo më shumë së 7 pikë ndërsa opozita me 30 pikë.

Procesi i intervistimit

Më 28.02.2024 Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të bordit të RTK-së ka zhvilluar intervistat e kandidatëve për 3 pozita të lira si anëtar i bordit të komunitetit shqiptar dhe intervistat për kandidatët për një pozitë të lirë për anëtar të bordit nga radhët e komunitetit serb.

Emrat e gjashtë kandidatëve më të poentuar për anëtarë të bordit nga komuniteti shqiptar dhe dy kandidatëve nga komuniteti serb do të dërgohen në Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhja e tre anëtarëve të bordit të RTK-së do të jetë në dorën e deputetëve.

Komisioni ishte në përbërje nga: Njazi Isaku – LVV (kryetar), Isak Shabani – PDK, Armend Zemaj – LDK, Time Kadrijaj – AAK, Fidan Jilta – Grupi Multietnik, Fitim Haziri – LVV, Valon Ramadani – LVV, Yllëza Hoti – LVV, Agim Veliu – LDK dhe Bekim Haxhiu – PDK.

Komisioni fillimisht ka hartuar pyetjet para se të nisin intervistat. Ata janë pajtuar që intervista për një kandidat të zgjaste 15 minuta dhe t’u parashtrohen pesë pyetje por edhe nënpyetje.

Sipas vlerësimit të Komisionit, nga 8 kandidatët e intervistuar për 3 pozitat e lira për anëtarë të bordit të RTK-së nga komuniteti shqiptar, Albinot Hamiti është renditur i pari me 237 pikë, më pas Albinot Maloku me 234 pikë, Besa Maxhuni me 206 pikë, Besnik Boletini me 203 pikë, Arta Berisha me 203 pikë, Dritan Shaipi me 183 pikë, Shukrije Rama 180 pikë, Naile Demiri 177 pikë.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ka monitoruar procesin e intervistimit. Poentimi nga deputetët është bërë publik për monitoruesit në fund të procesit të intervistave ndërsa publik është bërë vetëm poentimi total i secilit deputet për secilin kandidat dhe pa ndonjë arsyetim për vlerësimin e tyre.

Standardi i ekspertëve britanikë të cilët angazhohen nga Ambasada Britanike në Kosovë për asistimin e institucioneve të Kosovës për rekrutim të pozitave të larta, është që anëtarët e komisionit vlerësues t’i bëjnë publike pikët e dhëna për secilën përgjigje të kandidatëve.

Por, pasi komisioni ka lexuar pikët e dy deputetëve, Bekim Haxhiu dhe Yllëza Hoti, deputetët kanë debatuar se pse deputetja e LVV-së Yllëza Hoti në formularin e saj ka shkruar vetëm totalin e pikëve dhe nuk ka vendosur pikët në katër rubrikat për të cilat janë vlerësuar kandidatët.

Deputetët e LVV-së pjesë e Komisionit ad-hoc kanë deklaruar se edhe ata njëjtë si bashkëpartiakja kanë shkruar vetëm totalin e pikëve në formularin e tyre, gjë që është kundër praktikës britaneze.

Ndaj kësaj ka reaguar fillimisht deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu e më pas edhe deputetja Fidan Jilta nga grupi multietnik dhe Isak Shabani nga PDK, të cilët kanë kërkuar që edhe ata në formularët e tyre të shkruajnë vetëm totalin e pikëve.

Dilemë tjetër e deputetëve opozitar ishte poentimi me më pak se 4 pikë i deputetëve Fitim Haziri dhe Njazi Isaku, duke qenë se në formularin e poentimit ishin katër fusha për të cilat vlerësoheshin kandidatët.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri ka poentuar me 1 pikë kandidatin për anëtar të bordit të RTK-së nga komuniteti serb, Igor Rashiq dhe me 2 pikë Marjana Simiq.

Ndërsa Njazi Isaku poentoi me nga dy pikë kandidatët për anëtar të bordit nga komuniteti serb, Nenad Janiçeviq dhe Igor Rashiq, ndërsa me 3 pikë kandidaten Marjana Simiq.

Më 15.12.2024 , Kuvendi i Kosovës nuk kishte arritur t’i zgjedhë tre anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Për këtë pozitë ishin gjashtë të propozuar: Mehmet Kalisi, Ilir Bytyqi, Albinot Maloku, Shukrije Rama, Naile Demiri dhe Dritan Shaipi.

Ndër kandidatët e intervistuar kanë qenë edhe Besnik Boletini, kryetari aktual i bordit të RTK-së; Arta Berisha, nënkryetare e bordit dhe Shukrije Rama anëtare e bordit. Kur u intervistuan në dhjetor të vitit të kaluar, Boletini dhe Berisha nuk ishin renditur te kandidatët më të poentuar nga Komisioni, ndërsa Rama kishte hyrë te emrat e kandidatëve që shkojnë në Kuvend.

Edhe atëherë, deputetët opozitar kishin vlerësuar minimalisht Boletinin, ish kryetar i bordit dhe Berishën, ish-nënkryetare e bordit, ndër arsyet që ata kishin përmendur ishte se “nën udhëheqjen e tyre dy vjeçare RTK-ja kishte bërë diskriminim të kandidateve që u ranguan më së larti për menaxhmentin e lartë të RTK-së”.

Kjo u zbulua në hulumtimin “Radio Televizioni i Burrave” që Kallxo.com e botoi në shtator 2023.

Parimi i barazisë gjinore kishte qenë pritja që grupi i deputetëve të Vetëvendosjes kishin krijuar në vitin 2021 kur e kishin zgjedhur bordin e kaluar të RTK-së, duke insistuar që ai Bord të përbënte 50% gra dhe 50% burra.

Sindikata e Pavarur e RTK-së kishte kërkuar shkarkimin e kryetarit të bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Dorëheqja e Boletinit ishte kërkuar pas deklaratës së tij se ai merr informacione se në mediumin publik “punëtorët vijnë me pizhame e miniqa” dhe pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com për diskriminimin e tri grave në konkurset për pozita të larta menaxheriale.