Ilustrim - Policia në aksion

Pesë raste të dhunës në familje, policia arreston katër persona

Policia e Kosovës ka njoftuar për pesë raste të dhunës në familje gjatë ditës së djeshme.

Dy prej këtyre rasteve janë raportuar në kryeqytet.

Një grua nga Prishtina më datë 5 shtator rreth orës 22:15 ka raportuar në polici, se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga vëllai i saj.

Lidhur me rastin, policia në raport potencon se, i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Rast tjetër i dhunës në familje në kryeqytet u raportuar edhe dje rreth orës 12:10, ku një grua ka raportuar se në vazhdimësi burri i saj ushtron dhunë fizike dhe psikike.

Policia njofton se i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Në Gjakovë po ashtu policia ka arrestuar një burrë lidhur me një rast të raportuar për dhunë në familje më datë 3 të këtij muaji.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Rahovec gjithashtu është arrestuar një burrë pasi në ndikim të alkoolit kishte sulmuar babain e tij.

Siç njofton policia, i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:55.

Rasti tjetër i dhunës në familje është raportuar edhe në Leposaviq, një grua ka raportuar se po shqetësohet nga ish bashkëshorti i saj.

Sipas policisë, me vendim të prokurorit rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.