Pesë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Rastet janë raportuar në Fushë Kosovë, Prishtinë, në Prizren dhe dy në Gjilan.

Në Fushë Kosovë, një burrë ka raportuar në Polici djalin e tij që dyshohet se nën ndikimin e alkoolit ka shkaktuar dhunë në familje dhe ka tentuar që t’i sulmojë.

Sipas Policisë, nuk raportohet për lëndime, ndërsa i dyshuari është ende në arrati.

Rasti i cili ka ndodhur dje rreth orës 00:30, është në procedurë hetimore.

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Prishtinë nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje ka rrahur gruan e tij.

Policia njofton se në lidhje me rastin, palët janë intervistuar dhe me vendim ttë prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti ka ndodhur dje rreth orës 08:30.

Policia ka njoftuar edhe për një rast të dhunës në familje në Gjilan, ku një person është arrestuar pasi dyshohet se rrahu motrën e tij.

Sipas Policisë, palët janë  intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Rasti ka ndodhur dje rreth orës 9:00.

Një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar po në Gjilan, ku Policia ka arrestuar një person nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht motrën e tij.

Në raportin policor bëhet e ditur se, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti ka ndodhur dje rreth orës 15:50.

Një burrë në Prizren është arrestuar nga Policia nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje me gruan e tij e kishe sulmuar fizikisht këtë të fundit.

Sipas Policisë, viktima ka pranuar tretman  mjekësorë ndërkaq  i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Rasti ka ndodhur dje rreth orës 20:40.