Përleshje në një restorant në Rahovec, lëndohen rëndë tre persona

Një përleshje fizike në një restorant në fshatin Xërxë të Rahovecit ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Tre persona të moshës madhore kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal në Gjakovë për shkak të lëndimeve të rënda që dyshohet se i kanë marrë nga goditja me mjet të mprehtë.

Në pranga të Policisë së Kosovës për këtë rast kanë rënë pesë të dyshuar.

Ngjarja është konfirmuar për KALLXO.com edhe nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Elezaj ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 03:35 dhe se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me ç’rast janë identifikuar dhe arrestuar pesë të dyshuar” – tha ai.

Tutje zëdhënësi shtoi se lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit me vendim të të cilit të dyshuarit janë ndalur në mbajtje si dhe është iniciuar rast – lëndim i rëndë trupor.