Përfundon seanca maratonike për tarifën

Daut Haradinaj, propozues i seancës së jashtëzakonshme për tarifën 100 për qind, tha që Qeveria duhet të ketë një zë sa i përket vendimit për heqjen e tarifës dhe ky vendim duhet të votohet në Qeveri dhe jo në konferenca për media.

“Sa i përket taksës, nëse dikujt ja kemi humb kohën unë mendoj që e kanë shumë gabim sepse duhet me i diskutu. Vendimi i kryeministrit Kurti duhet të shkoj në qeveri dhe qeveria ta votoj, dhe ai vendim të kthehet fuqiplotë. Ne nuk e kemi pa at vendim, nuk e kanë të qartë reciprocitetin dhe unë nuk besoj se do ndodhë reciprociteti”, tha ai.

Sipas tij, largimi i tarifës pa ndonjë kusht është gabim që nuk duhet të bëhet.

“Me ia hap tregun Serbisë pa asnjë çmim e keni gabim. Qajo taksë ja ka hongër kryet qeverisë se kaluar, qajo taksë ka me ja hanger kryet juve. Qëllimi final u kanë me pasë njohje reciproke dhe me vazhdu tutje”, theksoi ai.

Sot Kuvendi ka diskutuar mbi 10 orë për tarifën 100 për qind të cilën e vendosi Qeveria Haradinaj e që Qeveria Kurti dëshiron ta largojë.