Përfundon operacioni i shpëtimit në qendrën tregtare të Lushnjës, 39 qytetarë dhe 3 zjarrfikës në spital

Operacioni për evakuimin dhe shpëtimin e qytetarëve të bllokuar në qendrën tregtare në Lushnjë ka përfunduar pas pesë orësh luftë me flakët.

Janë evakuuar dhe dërguar në spital për ndihmë mjekësore rreth 39 qytetarë dhe tre punonjës të zjarrfikëses, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës, Skënder Brataj tha për mediat se asnjë pacient nuk rrezikon jetën nga zjarri, ndërsa nuk ka asnjë rast të rëndë në spital apo raste djegiesh, por vetëm intoksikim për shkak të ekspozimit nga tymi që përfshiu godinën.

Në operacion morën pjesë Forcat Renea, Forcat e Sigurisë Kombëtare, Njësitë Shqiponja, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe zjarrfikësit/TopChannel/.