Dështon seanca ndaj 12 të akuzuarve për dhënie e marrje ryshfeti

Të akuzuarit  në cilësinë e zyrtarëve doganor, Tomislav Dimiq, Mensur Stagova, Vladan Ljubiq, Verodrag Miletiq, Admir Sejdiu, Andrija Caviq, Mirko Jevtiq dhe Arben Aliu, në cilësinë e  zyrtarit policor, janë paraqitur në Gjykatën e Prishtinës për t`u përballur me akuzat e prokurorisë për marrje ryshfeti.

Kurse Dardan Isaj, Sabri Spahiu, Ahmet Abazi akuzohen për veprën penale të dhënies së ryshfetit. Për dallim nga 11 të akuzuarit, Bajram Krasniqi që akuzohet për dhënie ryshfeti nuk ka prezantuar në gjykatore.

Arsyet për mos prezantimin e tij në Gjykatë i dha mbrojtësi i tij, Faik Halili, i cili tha se i njëjti si shofer i kamionit ka mbetur në Shqipëri pas një problemi me automjetin e tij. Sipas avokatit Halili i njëjti ishte rrugës prej Shqipërisë për në Kosovë.

Në mungesë të të akuzuarit Krasniqi, gjyqtarja e rastit Valbona Musliu- Selimaj konstatoi se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e shqyrtimit fillestar.

Çka thotë aktakuza për 12 personat e akuzuar për marrje e dhënie ryshfeti?

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Naim Abazi të dorëzuar në gjykatë më 13.02.2024, Prokuroria akuzon tetë zyrtarë doganor dhe një zyrtar policor për marrje ryshfeti nga persona për t`iu shmangur mbikëqyrjes së rregullt doganore dhe kontrollit të rregullt kufitar.

Sipas aktakuzës voluminoze të prokurorisë, nga muaji shtator i vitit 2021 e deri në korrik të vitit 2022 në pikën kufitare Hani i Elezit të pandehurit Tomislav Dimiq, Mensur Stagova, Vladan Ljubiq, Verodrag Miletiq, Admir Sejdiu, Andrija Caviq, Mirko Jevtiq si zyrtarë doganor dhe Arben Aliu si zyrtar policor në vazhdimësi kanë pranuar mjete monetare nga persona të ndryshëm.

Këto veprime të të akuzuarve nga Prokuroria po pretendohet të kenë ndodhur në vazhdimësi  dhe secili veçmas e me raste edhe në bashkëpunim, sipas aktakuzës kanë marrë ryshfet me qëllim që t`iu mundësohet kalimi i pikës kufitare pa iu nënshtruar kontrolleve të rregullta kufitare dhe atyre doganore.

Sipas prokurorisë këto veprime të të akuzuarve bien ndesh me detyrat e tyre zyrtare.

Prokuroria, Dardan Isajn, Sabri Spahiun, Ahmet Abazin, Bajram Krasniqin i akuzon për veprën penale të dhënies së ryshfetit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Abazi akuzohet se më 21.09.2021 në pikën kufitare tek Hani i Elezit në cilësinë e vozitësit të autobusit të kompanisë “Shero Tours” derisa ishte duke iu kontrolluar autobusi nga i pandehuri tjetër zyrtari doganor Admir Sejdiu, i akuzuari për dhënie ryshfeti Ahmet Abazi afrohet afër zyrtarëve të tjerë doganor të cilët tashmë janë të akuzuar Verodrag Miletiq dhe Andrija Caviq, duke ju dhënë ryshfet një qese që brenda kishte mjaltë dhe 30 euro mjete monetare.

Kurse vozitësi i kamionit të tipit “Mercedes”, i ngarkuar për dhënie ryshfeti Bajram Krasniqi akuzohet se i ka dhënë 10 euro zyrtarit policor i cili tashmë është i akuzuar – Arben Aliu me qëllim që t`i shmanget pritjeve kufitare dhe kontrolleve kufitare tek pika kufitare e “Hanit të Elezit” nga Republika e Maqedonisë së Veriut për në Kosovë.

Tutje Prokuroria për dhënie ryshfeti e ngarkon edhe Dardan Isajn pasi që sipas aktakuzës Isaj më 27.11.2021 në Terminalin Doganor në Mitrovicë si pronar i “D-Mobile Store”- Ferizaj, pasi kishte pagur mallin e sekuestruar nga Dogana dhe përmbushjes së detyrimeve doganore, i ka dhënë 200 euro ryshfet zyrtarit doganor Admir Sejdiu, pas kërkesës së këtij të fundit.

Aktakuza tutje thotë se Sabri Spahiu në cilësinë e shpediterit (i akuzuar për dhënie ryshfeti) më 26.11.2021 në terminalin doganor ZPD Interevropa në Prishtinë, bashkë me të pandehurin zyrtarin doganor Admir Sejdiu ishin dakorduar sa para t`i kërkojnë një pale të cilën Sejdiu ia kishte dërguar Spahiut. Këto veprime Spahiu i ka ndërmarrë para se t`i plotësonte dokumentacionet doganore për zhdoganimin e mallit për subjektet “D-Mobile” dhe “D-Mobile Store”.

Rast i ngjashëm lidhur me marrje e dhënie ryshfeti është duke u zhvilluar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës për 23 zyrtarë kufitar – policor lidhur me pikën kufitare “Qafë Morinë”

Seanca ndaj tyre ishte mbajtur ditën e hënë më 18.03.2024.

Rast tjetër që po trajtohet në Gjykatën e Prishtinës është edhe rasti i “Qafë Prushit” ku akuzohen 12 zyrtarë policor – kufitar dhe 2 zyrtarë doganor.  Seanca ndaj tyre ishte mbajtur më 21.02.2024.