23 policët kufitar të akuzuar për ryshfet deklarohen rreth fajësisë

23 policë të Kosovës të angazhuar në pikën kufitare “Qafë Morinë” janë ulur në bankën e të akuzuarve për t`u përballur me akuzat për marrje ryshfeti të ngritura nga Prokuroria Speciale.

Të hënën (18.03.2024) në Departamentin Special u mbajt shqyrtimi fillestar lidhur me këtë rast, pasi seanca e tillë kishte dështuar të mbahet më datë 13.02.2024 për shkak të mungesës së disa prej avokatëve.

Kështu, 23 të akuzuarit u deklaruan se nuk ndihen fajtorë karshi akuzave që u vihen në barrë.

Ahmet Kasumaj, Ahmet Shabanaj, Agim Hadërgjonaj, Besim Lokaj, Demë Lokaj, Fatmir Sadiku, Fazli Gjonbalaj, Gani Ahmeti, Gëzim Hoxhaj, Gëzim Shabani, Gëzim Turkaj, Haki Dobraj, Hamëz Puka, Hysen Hasani, Isa Dobraj, Ismet Tahiraj, Lush Himaj, Mërgim Bekaj, Rasim Tolaj, Skënder Meta, Xhemë Hadërgjonaj, Xhevdet Haklaj dhe Valon Hoxhaj, janë policët kufitar të cilët po akuzohen për marrje ryshfeti në këtë rast.

Rasti po gjykohet nga Valon Kurtaj, gjyqtar në Departamentin Special, kurse aktakuzën po e përfaqëson prokurori special, Ilir Morina.

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë më datë 26.12.2023, aktakuzë kjo e ngritur nga Habibe Salihu dhe Ilir Morina.

Dosja e Prokurorisë

Sipas aktakuzës 100 faqëshe të Prokurorisë Speciale, në pikën kufitare ‘Qafë Morinë’, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë, zyrtarë policor, në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke pranuar ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Dosja e Prokurorisë thotë se e tërë kjo me qëllim që qytetarëve të u mundësohej hyrja në territorin e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror dhe në kundërshtim me vendimet e Qeverisë për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Këto veprime Prokuroria pretendon të jenë kryer në periudhën kohore nga muaji gusht i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022.

Në aktakuzë ndër tjera figurojnë edhe dhjetëra videoincizime të cilat janë të propozuara si prova që të administrohen gjatë gjykimit.

Sipas dosjes, Prokuroria Speciale në maj të vitit 2021 kishte marrë informatë nga Inspektorati Policor i Kosovës lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi kriminal.

Operacioni kundër korrupsionit i Inspektoratit të Policisë së Kosovës ishte zhvilluar në mars të vitit 2022.

Bazuar në këtë informatë filluan edhe hetimet në qershor të atij viti, duke zgjatur gati një vit.

Në shkurt të vitit 2022 në procedurën hetimore ishin të përfshirë plot 50 zyrtarë policor, pasi që hetimet ishin zgjeruar për 6 herë.

Për shkak të numrit të madh të të dyshuarve procedura u veçua, tashmë është ndarë në dy pjesë.

Në grupin e parë janë 12 zyrtarë policor dhe 2 doganierë të pikës kufitare ‘Qafë Prush’. Seanca fillestare lidhur me këtë rast kishe qenë e caktuar por kishte dështuar të mbahej në fund të janarit të vitit 2024.

Rasti i tillë po trajtohet nga gjyqtari i Departamentit Special – Lufti Shala.

Ndërkaq grupi i dytë përbëhet nga pikërisht 23 zyrtarët policor të akuzuar në rastin në fjalë që ka të bëjë me pikën kufitare në ‘Qafë Morinë’.