Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Shoqëria civile kundër Projektligjit për zgjedhjet: Cenon integritetin zgjedhor
Gjashtë organizata të shoqërisë civile u janë drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, me një letër publike lidhur me reformën zgjedhore.
Sipas tyre, Projektligji i ri për zgjedhjet, përveç teknikaliteteve, përmban edhe ndryshime që cenojnë integritetin zgjedhor, e në anën tjetër nuk adresojnë çështje të cilat do t’a përmirësonin nivelin e përfaqësimit demokratik në Kosovë.
“Disa nga ndryshimet më problematike të këtij projektligji kanë të bëjnë me integritetin e kandidatëve, pavarësinë e KQZ-së dhe votat e kandidatëve”- thuhet në reagimin e tyre.
Këto organizata, kanë kundërshtuar edhe mundësinë e trajtimit të këtij projektligji në procedura të përshpejtuara, dhe atë në të dy leximet brenda ditës së sotme.
Organizatat kanë listuar disa çështje që kanë të bëjnë më këtë projektligj, siç janë; Përshtatshmëria juridike e kandidatëve, pavarësia e KQZ-së, rritja e votës preferenciale, numërimi i votave të kandidatëve në Qendra Komunale të Numërimit, modeli ‘zebër’ i përfaqësimit gjinor, etj.
Letra është përkrahur nga Demokraci për Zhvillim (D4D), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Organizata ÇOHU.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në parim Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.
Si rrallë herë gjatë kësaj legjislature, deputetët e partisë në pushtet dhe ata të opozitës për këtë projektligj kanë qenë të të njëjtit mendim, duke i dhënë dritën e gjelbër miratimit të tij.
Pas miratimit në parim, kryetari i komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi ka propozuar shmangien e procedurave të rregullores, në mënyrë që edhe shqyrtimi i dytë të bëhet brenda ditës.
“Komisioni funksional për legjislacion deri më 8 qershor, ora 14:30 duhet ta shqyrtojë projektligjin, dhe raportin t’jua paraqes komisioneve të përhershme. Shqyrtimi i dytë bëhet në seancën plenare në ora 16:30”- ka prezantuar mocionin ai.
Më 81 vota për, ky mocion është miratuar.
Andaj, Kuvendi i Kosovës sot në ora 16:30 do të shqyrtojë këtë projektligj në lexim të dytë.