Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës”, Foto: Valon Fana, KALLXO.com.

Për 41 pozita në Telekomin e Kosovës punonjësit kanë gradë të njëjtë por nuk paguhen njësoj

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në Telekomin e Kosovës se për 41 pozita punonjësit nuk paguhen me grada të njëjta për pozitën e njëjtë.

Në raport thuhet se edhe pse gjatë vitit 2022 ishte hartuar rregullorja për marrëdhënie pune dhe rregullorja për sistematizimin e vendeve të punës, mirëpo ende nuk është implementuar në tërësi procesi i ristrukturimit. Sipas konfirmimeve zyrtare, ky proces do të finalizohet gjatë vitit 2023.

Auditori thotë se pagesa e punonjësve për pozita të njëjta me grada të ndryshme mund të ndikojë në ngritjen e padive eventuale ndaj ndërmarrjes për mostrajtim të barabartë, e cila mund të rezultojë me shpenzime gjyqësore shtesë.

“Bordi i drejtorëve të sigurojë që përmes akteve të brendshme të fuqizojë kontrollet e brendshme, të cilat do të pamundësojnë që punonjësit në pozitat e njëjta të paguhen me grada të ndryshme” – thuhet në rekomandimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për bordin e ndërmarrjes.

Sipas Ligjit të punës, specifikohet se punëdhënësi duhet t’i paguajë punonjësit kompensimin e njëjtë për punën e vlerës së njëjtë, kompensimin i cili mbulon pagën bazë dhe shtesat e tjera.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare të Telekomit të Kosovës në raportin e saj për vitin 2022.

Raporti i vitit 2021 kishte rezultuar me 29 rekomandime për Telekomin e Kosovës. Deri në fund të auditimit në vitit 2022, sipas Auditorit, 19 rekomandime ishin zbatuar, katër nuk aplikohen më, katër rekomandime nuk janë zbatuar ndërsa një nuk është adresuar ende.

Gjetja e njëjtë është evidentuar vazhdimisht në raportet e auditimit ndër vite.

Në raportin e auditimit për vitin 2018 të Telekomit të Kosovës është konstatuar se 61 pozita ku punëtorët nuk paguhen me grada të njëjta për pozitën e njëjtë.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se për 84 pozita në Telekomin e Kosovës, punonjësit nuk paguhen njëjtë edhe pse kanë grada të njëjta për pozitën e njëjtë në raportin e vitit 2020.

Ndërsa në raportin e vitit 2021, Auditori kishte gjetur se në Telekomin e Kosovës, 54 punëtorë të cilët kanë gradë të njëjtë, në fund të muajit nuk e marrin pagën e njëjtë.