Foto: KALLXO.com

Peci: Siç po e çrrënjos çdo ditë kancerin në Ministri të Bujqësisë, do ta çrrënjos pirjen e duhanit në hapësira të brendshme

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë se beteja kundër konsumimit të duhanit është e gjatë por me rezultate të shpejta.

“Siç po e çrrënjosë çdo ditë kancerin në Ministri të Bujqësisë, çdo ditë do ta çrrënjosë pirjen e duhanit në hapësira të brendshme. Zero tolerancë për konsumimin e duhanit në hapësira të brendshme është zero tolerancë me fjalë e veprim” – ka shkruar Peci në Facebook.

Më tej ai ka thënë se me ligjin nuk ka kompromis.

“Njëherë ligjshmëri, përherë ligjshmëri!” – ka vazhduar më tej ai.

Ministri Peci ka potencuar se është i përkushtuar që ta përmbushë këtë objektiv.

“Pa duhan më shumë shëndet! Duke qenë se rruga jonë është Bashkimi Evropian, çdo ditë e më shumë Evropë do të sjellim në vendin tonë.Siç mund t’i konsumojë dikush nga 50 kafe në ditë, mund t’i konsumojë edhe cigaret, ama jo në brendi të kafeneve, restoranteve, hoteleve, zyrave…” – ka përfunduar Peci.

Ligji kundër duhanit, i cili ka hyrë në fuqi një dekadë më parë, ndalon pirjen e duhanit në hapësira publike – ku përfshihen lokalet hoteliere dhe shërbyese, hapësirat e punës, mjetet e transportit publik e vende të tjera.

Sipas Ligjit kundër duhanit, nëse tymoset duhan në hapësirat ku është e ndaluar me ligj, për subjektet afariste gjoba është nga njëmijë deri në tre mijë euro, derisa për personin fizik 30 deri në 50 euro.

Në vitin 2022 sipas Doganave të Kosovës, janë importuar mbi 4 mijë tonë duhan në vlerë prej mbi 100 milionë eurosh.