PDK: Kërkuam nga Qeveria që t’i ftojë veteranët në takim dhe të gjejnë një zgjidhje

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se PDK nuk do të lejojë që të vazhdohet seanca e sotme pa gjetur një zgjidhje për përfshirjen e veteranëve në kuadër të pagës minimale.

Tahiri tha se PDK ka kërkuar nga Qeveria që të ftojnë përfaqësuesit e veteranëve në një takim bashkë me Komisionin për Buxhet dhe Financa për të gjetur një zgjidhje për ketë çështje.

“Kërkuam që Qeveria bashkë me ju të mblidhen dhe të gjejmë një zgjidhje për përfshirjen e veteranëve të luftës në kuadër të pagës minimale. Nuk do të lejojmë të vazhdohet seanca pa u ulë ta gjejmë një zgjidhje të përcaktohet në linjë me pagën minimale, kjo është kërkesë e dinjitetshme e juaja. Deri në 13:00 do ta kemi një pauzë dhe vesojmë qe qeveria do të ju ftojnë në një takim bashkë edhe me komisionin për Buxhet dhe Financa sepse është turp me dalë me protestua”, ka thënë Tahiri.

Kuvendi i Kosovës është në pauzë deri në ora 13:00.

Disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, pas pauzës së seancës kanë dalë jashtë, në protestën e veteranëve të UÇK-së e cila po mbahet në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Protesta e sotme e OVL-UÇK, po kërkojnë tash e sa kohë, që pensioni për veteranët e UÇK-së të përfshihet në Ligjin për paga.

Të martën, me 68 vota pro, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë.

OVL-UÇK në vazhdimësi kanë kundërshtuar mospërfshirjen e veteranëve në Ligjin për paga.