Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK dërgon në Kushtetuese vendimin e Kuvendit për pagesën e energjisë elektrike në veri

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se vendimi i Kuvendit të Kosovës që i hapi rrugë pagesës së energjisë elektrike për qytetarët që jetojnë në veriun e Kosovës, është kundër kushtetues.

Në një konferencë për media, pasi dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese këtë çështje, Deliu-Kodra ka thënë se ky vendim i Kuvendit ka dëmtuar buxhetin e Kosovës, prej 11 milionë eurove.

“Ky vendim i Kuvendit, i mbështetur kryesisht nga deputetët e Vetëvendosjes dhe Listës Serbe, ka dëmtuar buxhetin e Kosovës, duke marrë kështu në mënyrë kundër-kushtetuese taksat e qytetarëve për të paguar energjinë elektrike për qytetarët dhe bizneset në veri të Kosovës”, ka thënë Deliu-Kodra.

Sipas saj, kjo përbën shkelje kushtetuese, pasi qytetarët si në jug e si në veri të vendit, duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, sipas ligjit dhe Kushtetutës.

“Ne presim që Gjykata Kushtetuese ta trajtoj me meritë këtë rast dhe brenda afatit ligjor, për ta shfuqizuar vendimin e Kuvendit të Kosovës”, tha Deliu – Kodra.

Ajo po ashtu tha se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, para një viti kishte ndarë 10 milionë euro të tjera për energjinë në veri, ndërsa tani përmes Kuvendit ka ndarë 11 milionë euro.

Ajo tha se këto mjete kanë mundur të përdoren për blerjen e vaksinave anti-COVID-19.

“Brenda një periudhe prej një viti Qeveria e Albin Kurtit ndau 21 milionë për energjinë e shpenzuar. Me këto mjete Qeveria e Kosovës ka mundur të blejë vaksina anti-COVID për qytetarët e Kosovës, prandaj është e papranueshme që këto mjete të mos shpenzohen për vaksina”, tha ajo.