PDK dërgon në Kushtetuese seancën 13 korrikut, kërkon anulimin e saj

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka njoftuar se sot kanë dërguar për vlerësimin e kushtetutshmërisë, caktimin e seancës së 13 korrikut të Kuvendit të Kosovës, në Gjykatën Kushtetuese.

PDK po kërkon që seanca e javës së kaluar të anulohet në tërësi, përfshirë edhe vendimet që janë marrë.

“Si palë e autorizuar pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kemi parashtruar kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit për caktimin e Seancës Plenare të datës 13 korrik 2023 të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kërkesën që i njëjta në tërësi të anulohet”- ka njoftuar Tahiri.

Sipas Tahirit, seanca e javës së kaluar ishte caktuar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe siç ka thënë ai, kryeparlamentari ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime.

“Si parashtrues të këtij rasti, vlerësojmë se, Kryetari i Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime: e para, në mos-përmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe, e dyta, duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të kësaj seance – në mungesë të konsensusit të Kryesisë si rezultat i mungesës së kuorumit të nevojshëm, përkatësisht dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë”- është shprehur Tahiri.

“Si i tillë, ky vendim ka prodhuar pasoja kushtetuese dhe ligjore sepse ka rezultuar me mbajtjen e seancës plenare të ftuar sipas një procedure jokushtetuese, në të cilën janë miratuar ligje dhe projektligje si dhe vendime të tjera për zgjedhjen/shkarkimin e bartësve të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura”- shton ai.

Më tej, deputeti i PDK-së thotë se kanë kërkuar nga Kushtetuesja edhe një masë të përkoshme që deri në vendimin përfundimtar “të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve që kanë rezultuar nga kjo seancë jokushtetuese”.

“Krahas kërkesës për anulimin e kësaj seance dhe vendimeve që janë marrë në të, kemi kërkuar edhe Masë të Përkohshme, që deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve që kanë rezultuar nga kjo seancë jokushtetuese”- ka deklaruar Tahiri.

Më 13 korrik 2023, në Kuvendin e Kosovës, gjatë kohës sa ishte duke dhënë fjalim kryeministri Albin Kurti ka ndodhur një pëleshje fizike.

E gjithë kjo nisi kur deputetja e PDK-së Ganimete Musliu vendosi një foto në foltoren e Kuvendit, përderisa Kurti po deklarohej, një fotografi të kreut të ekzekutivit më hundë të madhe.

Më pas zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është ngritur nga karriga e tij dhe ka grisur fotografinë.

Pas këtij veprimi, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku i cili hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministrit Bislimi. Në mbrojtje të kryeministrit doli ministri i Financave, Hekuran Murati derisa Bislimi shihet teksa gjuan një shishe në drejtim të Lushtakut.

Ndërkaq deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, shihet duke goditur ministrin Murati. Pas kësaj, kanë ndërhyrë edhe deputetë tjerë të LVV-së e të PDK-së. Kjo shkaktoi që më pas edhe mbrojtja e Kurtit të hyjë brenda sallës së Kuvendit, përderisa kryeparlamentari, Glauk Konjufca u ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të shkojë në sallë dhe të ndërhyjë.

Deputetët e partisë në pushtet dhe opozitës kanë filluar të shtyhen mes vete, kur Kuvendi vazhdoi një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo si revoltë e opozitës ndaj pushtetit, pas publikimit të disa audio-incizimeve ku dëgjohet biseda e shefes s deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq, në qershor të vitit të kaluar.

Për rastin e përleshjes, në intervistim në prokurori janë thirrur deputetët e PDK-së, Mergim Lushtaku dhe Hajdar Beqa, si dhe qeveritarët, Besnik Bislimi dhe Hekuran Murati.

KALLXO.com mëson nga burime brenda Prokurorisë se ministri i Financave, Hekuran Murati është ftuar si i dëmtuar për intervistim, ndërsa zëvendëskryeministri Besnik Bislimi si i dyshuar.
https://kallxo.com/lajm/perleshje-fizike-ne-seancen-e-kuvendit/