Foto nga ceremonia e hapjes së Institutit për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta. FOTO: KALLXO.com

Pavijoni D i Burgut të Dubravës shndërrohet në Institut për trajtimin e personave me nevoja të veçanta

Nga sot pavijoni D i Qendrës Korrektuese në Dubravë do të jetë Institut për trajtimin e personave me nevoja të veçanta.

Këtu do ofrohen shërbime mbështetëse shëndetësore për personat me probleme shëndetësore kronike, personat vulnerabilë me nevoja të veçanta, personat e moshuar, personat me sëmundje të varësisë, personat me rrezik për vetëvrasje, personat me çrregullime akute të përkohshme psikiatrike, personat me trajtim me terapi zëvendësuese dhe shërbime monitoruese të tjera.

FOTO: KALLXO.com

Kapaciteti i këtij objekti është për 60 persona, kurse 20 persona të tjerë do të vendosen në pavijonin 7.

FOTO: KALLXO.com

Gjatë ceremonisë së hapjes së këtij Instituti, Ismail Dibrani, zëvendësdrejtori i Shërbimit Korrektues tha se një Institut i tillë me ligj ishte paraparë qysh në vitin 2014 por nuk ishte arritur të realizohej si projekt.

“Ky projekt kap vlerën afro gjysmë milion euro. Për të filluar implementimin e këtij projekti sigurisht ne është dashur të hapim edhe konkurse dhe të punësojmë edhe staf të ri. Për këtë  ne kemi punësuar së pakum 30 oficerë të rinj, po ashtu kemi punësuar edhe afër 14 zyrtarë shëndetësorë” – tha Dibrani.

Foto nga ceremonia e hapjes së Institutit për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta.
FOTO: KALLXO.com

Ai theksoi se jo të gjitha shtetet e Evropës e kanë një institucion të tillë.

“Me mbështetjen e Ambasadës amerikane kemi realizuar edhe vizita studimore jo vetëm në SHBA por në shumë shtete më të zhvilluara të Evropës. Jo të gjitha shtetet e Evropës e kanë një institucion të tillë. Në këtë institucion do ta marrin trajtimin profesional, dinjitoz, kategoria më e ndjeshme e shoqërisë tonë” – tha ai.

Nëpër objektin e pavijonit D gjenden muralet, ngjyrosja e të cilëve është bërë nga të burgosurit.

Muralet në Qendrën Korrektuese në Dubravë FOTO: KALLXO.com
Muralet në Qendrën Korrektuese në Dubravë. FOTO: KALLXO.com

Gjatë fjalimit të tij, Dibrani përmendi se pas përfundimit të vuajtjes së dënimit, personat që gjenden që Qendrën korrektuese në Dubravë do ta kenë mundësinë që t’i kthehen jetës normale dhe shoqërisë sepse aty do të zhvillohen shumë aktivitete, do të ketë shumë programe rehabilituese dhe aktivitete rekreative të cilat do të bëjnë që këta persona të mos ndihen të vetmuar.

Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u shpreh se të gjithë njerëzit pa dallim edhe ata të cilëve për një kohë u është hequr liria, kanë të drejtën e përkujdesit shëndetësor.

“Me funksionalizimin e këtij institucioni shëndetësor, zvogëlojmë në masë të madhe transferet jashtë burgut dhe me këtë edhe rrezikun e sigurisë së tyre” – tha ministrja.

“Institucioni që po themelojmë sot do t’iu shërbejë të gjithë personave që janë në burgje si të paraburgosur apo si të burgosur që kanë nevojë për shërbime të veçanta të cilat nuk mund të kryhen në institucione të tjera korrektuese”-shtoi ajo.

Se Kosova është një ndër vendet e para që ka bërë transferin e shërbimit shëndetësor të burgjeve nga Ministria e Drejtësisë në Ministrinë e Shëndetësisë u tha nga kreu i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia.

Sipas Vitisë, transferi i këtij shërbimi nga Ministria e Drejtësisë në Ministrinë e Shëndetësisë  është rekomandim edhe i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

“Duke qenë se Kosova është i vetmi vend në Evropën Juglindore që ka përfunduar këtë proces dhe tani nga Këshilli i Evropës promovohet si shembull i mirë i funksionimit për t’i inkurajuar edhe vendet tjera për të bërë të njëjtin veprim në dobi të trajtimit ekuivalent të të burgosurve sikur të gjithë qytetarët e tjerë pa ndikime dhe pa stigmatizim”- tha Vitia.

Ky program për këtë pavijon për të burgosurit me nevoja të veçanta është jetësuar gjatë një programi të trajnimit, ku kanë marrë pjesë zyrtarë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe i cili është sponsorizuar nga Ambasada amerikane në vitin 2021.

I pranishëm në ceremoninë hapëse të Institutit ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili përgëzoi Shërbimin Korrektues të Kosovës për punën që ka bërë në modernizimin e shërbimeve korrektuese.

“Meqenëse është programi parë i kësaj natyre në rajon, Kosova po tregon qartazi se është shumë serioze në përmirësimin e programeve të veta korrektuese. Ju përgëzojmë për krejt punën që shërbimi korrektues i Kosovës e ka dhënë deri tani për të modernizuar shërbimet korrektuese” – tha Hovenier para të pranishmëve.

Ambasadori Hovenier u zotua se Shërbimi Korrektues i Kosovës do të ketë mbështetje nga SHBA-ja.

“Dua të theksoj se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë Shërbimin Korrektues të Kosovës për të operuar me objektet e veta korrektuese në mënyrë të sigurt, humane dhe transparente në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare” – deklaroi ambasadori.