Vdes një i burgosur, vdekjen e tij e konstatoi Emergjenca në Spitalin e Pejës

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka njoftuar për vdekjen e një të burgosuri.

Sipas SHKK, i burgosuri me inicialet H.M. ka qenë duke u trajtuar në vazhdimësi nga sëmundjet paraprake me të cilat është pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Dubravë.

I burgosuri ishte dërguar nga Burgu i Dubravës në Emergjencën e Spitalit të Pejës, ku, sipas Shërbimit Korrektues, është konstatuar vdekja e tij.

“Sipas dosjes mjekesore i njëjti ka ardhur me sëmundje të rënda dhe me vështirësi për kujdes për vetveten. Fillimisht është pranuar në Qendrën e Paraburgimit ne Prishtinë, në pranim vizitohet nga mjeku kujdestar dhe për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore udhëzohet për në QKUK dhe pas kthimit dërgohet ne stacionarin e burgut të Dubravës”- thuhet në njoftim të SHKK-së.

“Edhe në këtë institucion ka pasur vështirësi në menaxhimin e tij për shkak të sëmundjes së tij dhe nga aty është dërguar ne Spitalin e Përgjithshëm të Pejës si dhe ne QKUK. Në vazhdimësi është trajtuar sipas rekomandimeve të specialistëve”- theksohet në komunikatë.

Shërbimi Korrektues thotë se H.M. më 12.2.2024 ka pësuar krizë të vetëdijes dhe pas reanimimit të vazhdueshëm nga mjeku kujdestar në Stacionarin e Burgut është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Pejës, ku është konstatuar vdekja e tij.

Organet kompetente janë duke u zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes.