Babai tentoi t’i dërgonte drogë djalit të tij në burg, arrestohet

Një burrë është arrestuar gjatë ditës së djeshme nën dyshimin se i njëjti ka tentuar që t’i dërgonte në burg djalit të tij substancë të dyshuar narkotike.

Ngjarja është thënë se ka ndodhur në Qendrën Korrektuese në Dubravë, rreth orës 15:15.

Substancën e dyshuar, sipas njoftimit policor, i dyshuari kishte tentuar ta fuste brenda burgut përmes disa rrobave që ai ishte duke ia dërguar të birit.

“Ai dyshohet se përderisa i kishte dërguar rroba djalit të tij, i cili është në vuajtje të dënimit, në to kishte futur një sasi prej 4.4 gram substancë e dyshuar narkotike, e cila është gjetur gjatë kontrollit dhe është sekuestruar nga zyrtarët policorë” – thuhet në raportin 24-orësh policor.

Tutje është thënë se në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka nxjerr aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, mirëpo për shkak të gjendjes shëndetësore i dyshuar është thënë se do të vazhdoj trajtimin në Spitalin Rajonal të Pejës nën sigurimin e zyrtarëve policor.