ILUSTRIM Të burgosur në Burgun e Dubravës - Foto: KALLXO.com

Brenda tri ditëve dyshohet se dy herë u tentua të futet drogë në burgun e Dubravës

Të dielën e kaluar, një burrë ra nën prangat e Policisë së Kosovës nën dyshimin se i njëjti ka tentuar që t’i dërgonte në burg djalit të tij substancë të dyshuar narkotike.

Ngjarja kishte ndodhur në Qendrën Korrektuese në Dubravë, e njëjta ngjarje u përsëritë edhe dje.

Kësaj radhe u arrestua një grua, e cila po ashtu në po të njëjtën qendër tentoi që të fuste substancë të dyshuar narkotike brenda burgut.

Forcat e rendit kanë thënë se zyrtarët korrektues kanë informuar se e dyshuara kishte shkuar në qendër në vizitë te i burgosuri.

Tek e njëjta Policia ka thënë se është gjetur një qese me substancë të dyshuar narkotike.

Në raportin 24-orësh policor është thënë se e dyshuara me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Sa i përket rastit që ndodhi ditën e diel, Policia kishte njoftuar se substanca e dyshuar që babai kishte tentuar t’ia dërgonte të birit në burg ishte gjetur në disa rroba.

“Ai dyshohet se përderisa i kishte dërguar rroba djalit të tij, i cili është në vuajtje të dënimit, në to kishte futur një sasi prej 4.4 gram substancë e dyshuar narkotike, e cila është gjetur gjatë kontrollit dhe është sekuestruar nga zyrtarët policorë” – thuhej në raportin policor.

Përderisa, prokurori i rastit edhe në këtë ngjarje kishte nxjerr aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, mirëpo për shkak të gjendjes shëndetësore i dyshuar ishte thënë se do të vazhdojë trajtimin në Spitalin Rajonal të Pejës nën sigurimin e zyrtarëve policorë.

Babai tentoi t’i dërgonte drogë djalit të tij në burg, arrestohet