Pritet që të burgosurit në Dubravë të prodhojnë shporta për Komunën e Prishtinës

Kujdesi ndaj ambientit dhe ofrimi i sigurisë së qytetarëve ka bashkuar Shërbimin Korrektues të Kosovës, OJQ “Help Kosovo” dhe Komunën e Prishtinës.

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme në Qendrën Korrektuese në Dubravë u zhvillua takim ndërmjet zyrtarëve të ‘Help Kosovo’, Komunës së Prishtinës dhe Udhëheqësit të Instruktorëve dhe Trajnimeve në këtë qendër, Ismet Fekaj.

“Gjatë takimit është iniciuar bashkëpunimi mes tri palëve të përfshira në krijimin e një ambienti më të sigurtë dhe të pastër në qytetin e Prishtinës. Me ç‘rast u diskutua për shportat e plehrave dhe rrethojat metalike, të cilat do të prodhohen në Qendrën Korrektuese të Dubravës dhe do të vendosen në koordinim me Komunën e Prishtinës në ato zonat ku ka më së shumti nevojë”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Sipas njoftimit, ky projekt parashihet të angazhojë të burgosurit në këtë qendër në kryerjen e punëve rreth prodhimit të shportave dhe rrethojave me anë të mbështetjes së ‘Help Kosovo’.

“Help Kosovo ka mbështetur dhe po vazhdon ta mbështes SHKK-në me pajisje profesionale për saldim dhe trajnime me ISO standarde, ku janë aftësuar më shumë se 20 persona (nga stafi dhe të burgosurit)”, thuhet në njoftim.