Pasuria e kryetarit të ri të Gjykatës së Apelit

Valon Totaj është zgjedhur kryetar i Gjykatës së Apelit të cilin funksion pritet ta ushtrojë nga sot me një mandat 5-vjeçar.

Totaj është dekretuar gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës së Apelit të Kosovës me datë 20 shkurt 2018.

Ndërkaq, nga periudha e vitit 2013-2018, ka punuar si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prizren.

Në vitin 2007-2008, gjykatësi Totaj ka ushtruar detyrën e bashkëpunëtorit profesional të Bordit të Drejtorëve të Komunës së Prizrenit.

Kurse, në periudhën 2008-2010 ai është emëruar në postin e zëvendësavokatit publik të Komunës së Prizrenit.

Kryetari Totaj është edhe bashkautor i “Doracakut të Procedurës Kontestimore” në të dy botimet e saj, si dhe i moduleve – programeve trajnuese “Drejtësia për Fëmijë – Aspekti Civil” dhe “E drejta Familjare” pranë Akademisë së Drejtësisë të Kosovës në Prishtinë.

I njëjti në këtë institucion që nga viti 2013 është angazhuar edhe si trajnues gjyqësor i lëndëve civile, si për programin e trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm.

Totaj vitin e kaluar ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit se ka një pasuri të paluajtshme në vlerë prej 70 mijë euro.

Në këtë pasuri, Totaj ka deklaruar se ka një banesë në vlerë 55 mijë euro, tokë bujqësore në vlerë prej 5 mijë euro si pasuri familjare e përbashkët dhe një mal – zabel, të deklaruara si pasuri familjare e trashëguar në vlerë prej 10 mijë euro.

Kryetari Total po ashtu ka deklaruar se posedon një veturë të tipit “BMW” në vlerë prej 16 mijë e 500 euro.

Në deklarimin e pasurisë ai ka një shumë prej 2 mijë euro në njërën nga bankat në Kosovë.

Zotërues i këtyre parave, Totaj ka thënë se është vetë ai.

Ndërkaq, shuma totale e detyrimeve financiare që i ka Totaj ndaj personave juridikë dhe fizikë thuhet se është 32 mijë e 500 euro.

Totaj ka deklaruar se ka marrë pagë vjetore nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në vlerë prej 26 mijë e 586 euro si dhe disa të hyra të tjera nga Akademia e Drejtësisë, USAID – NCSC, Trusti dhe S.T.

Valon Totaj zgjidhet në krye të Gjykatës së Apelit