Valon Totaj zgjidhet në krye të Gjykatës së Apelit
Valon Totaj është zgjedhur kryetar i ri i Gjykatës së Apelit pasi ka arritur të marrë shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Kryetari i sapozgjedhur i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj që nga 20 shkurti i vitit 2018, ushtron funksionin e gjykatësit në Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni Civil të Gjykatës së Apelit.
Gjatë viteve 2013-2018, Totaj ka punuar si gjykatës në Gjykatën Themelore të Prizrenit.
Totaj, detyrën e kryetarit të Gjykatës së Apelit do ta ushtrojë nga sot, ndërsa mandati i tij do të jetë pesëvjeçar.
Komisioni Vlerësues ka rekomanduar për votim edhe kandidatët Bashkim Hyseni, Zyhdi Haziri, Nehat Idrizi dhe Hashim Çollaku, mirëpo të njëjtit nuk arritën të marrin votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në këtë pozitë.
Gjyqtarët Hyseni, Çollaku dhe Idrizi morën nga një votë nga anëtarët e Këshillit.
Kandidat për kryetar të Gjykatës së Apelit ka qenë edhe gjyqtari Kreshnik Radoniqi, tani edhe kryesues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), mirëpo i njëjti është tërhequr nga kjo garë, pasi Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) për të njëjtin ka konstatuar se zgjedhja eventuale e tij në pozitën e kryetarit të Apelit duke qenë edhe kryesues i KQZ-së, përbën konflikt të interesit.
Që nga gushti i vitit 2021, pozitën e të parit në Gjykatën e Apelit e ka ushtruar Afrim Shala si ushtrues detyre deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj gjykate.
Kjo pasi ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, i ka përfunduar mandati në fillim të muajit gusht 2021.