Spitali Isa Grezda - Gjakovë - Foto arkiv: Kallxo.com
Pas raportimit të KALLXO.com, spitali i Gjakovës furnizohet me penj kirurgjik “Vicryl”
Shërbimi Farmaceutik i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, ka njoftuar se Spitali Rajonal i Gjakovës “Isa Grezda” është furnizuar me penj kirurgjik të llojit “Vicryl”.
KALLXO.com dy javë më parë pati raportuar se në këtë spital mungojnë 12 lloje të penjve kirurgjikë, në mesin e tyre edhe lloji “Vicryl”, me të cilin tashmë janë furnizuar.
Nga Shërbimi Farmaceutik i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës nuk kanë dhënë detaje se sa është sasia me të cilën është furnizuar spitali gjakovar, mirëpo vetëm kanë bërë të ditur se më 15 nëntor të këtij viti ai është furnizuar sipas kontratës emergjente të planifikuar.
“Spitali i Gjakovës nga QKUK është furnizuar vetëm me llojin “Vicryl”, ndërsa për furnizime të tjera Spitali i Gjakovës posedon të dhëna të detajuara për të cilat pranohen”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Farmaceutik.
KALLXO.com po ashtu është munduar të kontaktoj edhe me drejtorin e këtij spitali, Hilmi Shala, për të marr informacion se sa është sasia e pranuar e penjve kirurgjik por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.
Në këtë spital mungojnë mbi 10 lloje të penjve kirurgjik të nevojshëm për pacientët të cilët i nënshtrohen operimeve.