Gjyqtarja Afijete Sada. Foto: Gjykata Themelore Gjakovë
Impakti i KALLXO.com, Këshilli Gjyqësor i zvogëlon pagën për 40% gjyqtares Afijete Sada Gllogjani
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka shqiptuar dënim disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës Themelore në Gjakovë, Afijete Sada Gllogjani, duke ia ulur për 40% pagën për 4 muaj, si dhe vërejtje publike me shkrim, për shkelje disiplinore të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Dënimi i KGJK-së ndaj gjyqtares në fjalë vjen pasi KALLXO.com ishte duke e hulumtuar lëndën të cilën Sada Gllogjani ishte duke e gjykuar, ndërsa gjyqtarja ishte në procedurë edhe për dy shkelje të tjera.
Më 1 dhjetor 2022 KALLXO.com kishte kërkuar sqarim nga Gjykata në Gjakovë për vonesa në trajtimin e një lënde civile, ndërsa më 6 dhjetor zëdhënësi i Gjykatës, Lekë Muqaj, kishte bërë të ditur se pas pranimit të informacionit, Gjykata ka dërguar në procedurë disiplinore gjyqtaren.
“Pas shikimit të shkresave të lëndës në fjalë, kemi vërejtur se gjyqtarja e çështjes Afijete Sada Gllogjani ka rënë në vonesa sa i përket përpilimit të aktvendimit për masën e sigurisë. Rasti është regjistruar si procedurë disiplinore dhe e kemi dërguar në KGJK” – kishte bërë të ditur Muqaj për KALLXO.com.
Pasi që Sada ka qenë në hetim edhe për dy shkelje të tjera, KGJK-ja ka vendosur që hetimet t’i bashkojë në një rast hetimor, por që procedura të zhvillohej nga paneli hetimor përkatës për seciliën shkelje të dyshuar.
Pas procedurave, KGJK-ja ka konstatuar se për lëndën të cilën KALLXO.com ka qenë duke e trajtuar, fjala përfundimtare për caktimin e masës së parakohshme ishte dhënë më 13 dhjetor 2021, ndërsa vendimi për këtë çështje ishte vonuar dhe ende, sipas KGJK-së, nuk është përpiluar.
“Mbi bazën e rrethanave të theksuara më sipër dhe të konstatuara në seancën dëgjimore, Këshilli vlerëson se sjelljet e gjyqtares Afijete Sada Gllogjani janë shkelje të përcaktuara në Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”- thuhet në vendimin e KGJK-së, të datës 9 shkurt 2023, të publikuar dje më 30 mars.
Në fund, KGJK ka vlerësuar se masa adekuate për shkeljet e gjyqtares Sada, është ulja e pagës për 40% për 4 muaj, si dhe vërejte publike me shkrim. Zvogëlimi i pagës për 4 muaj, sipas KGJK-së, është bërë për shkak se gjyqtarja në fjalë në korrik 2023 del në pension.
“Masa e zvogëlimit të pagës në 40% për 4 muajt e ardhshëm ndërlidhen me periudhën në të cilën gjyqtarja do të jetë në funksionin e gjyqtares, që nënkupton që nuk ka mundur të jetë në kohëzgjatje më të madhe, ndërsa masa zvogëlim i pagës për 40% konsiderohet si proporcionale pasi që zvogëlimi mbi 40% i pagës, për periudhën sa do të jetë gjyqtare do të rrezikonte mirëqenien e gjyqtares” – thuhet në vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Afijete Sada Gllogjani po gjykonte një rast civil në Gjykatën Themelore në Gjakovë. Pala paditëse me inicialet V. B., kishte ngritur padi për caktim të masës së përkohshme të sigurisë, ndaj të paditurit me inicialet D. I., në kontest ishin dy banesa në Gjakovë.