Pas ankesës në KALLXO.com, inspektohet biznesi për të cilin ishte raportuar se po i shkelte të drejtat e punëtorëve
Në emisionin “Kallxo Pernime” janë shfaqur pamjet e aksionit të Inspektoratit të Punës në dy biznese të rajonit të Ferizajt, të cilat kishin të bënin me respektimin e të drejtave të punëtoreve.
Aksioni u zhvillua pasi në KALLXO.com ishte paraqitur një ankesë se një biznes që kishte për veprimtari pastrimin e tepihëve nuk i kishte pajisur punëtorët me kontrata pune dhe po i detyronte të punonin në vikend pa kompensim siç e ka përcaktuar Ligji.
Me vendim të Kryeinspektorit Hekuran Nikçi, ankesa e paraqitur në KALLXO.com i bartet për verifikim Arton Çerkinit, udhëheqës në Inspektoratin e Punës në rajonin e Ferizajt.
Trajtimi i rastit shqyrtohet nga dy inspektorë të punës, të cilët kanë marrë udhëzime për të kryer inspektimin.
Gjatë kontrollit konstatohen parregullsitë e para, punëtoret janë duke punuar që 3 muaj dhe asnjëri nuk ka kontratë pune. Sipas Ligjit, punëtorët asnjë ditë nuk guxojnë të punojnë pa kontrata të punës.
Pas bisedës me pronarin e biznesit, në praninë e tij fillon intervistimi i punëtorit. Biseda me punëtorin zbuloi detaje të tjera: punëtorët punojnë në 6 ditë të javës dhe 9 orë në ditë dhe për këto punë nuk marrin pagesë shtesë siç e përcakton Ligji.
Ligji përcakton qartë – puna zgjat 8 orë me pauzat në mes. Nëse ka tejkalime, duhet të kryhen pagesa shtesë apo kompensime me pushim. 9 orë punë, 6 ditë në javë, pa kontratë kjo nuk lejohet. Ligji përcakton qartë që çdo orë shtesë duhet të paguhet ekstra dhe duhet të jetë e shkruar në kontratë.
Të gjitha këto gjetje shkruhen në një raport. Sipas rregullit, parregullsitë e konstatuara i lexohen në fund pronarit të biznesit i cili arsyetohet se biznesi i tij është familjar.
Pas përfundimit të kontrollit inspektorët e punës nisen për në objektin e Inspektoratit ku pritet t’i raportojnë udhëheqësit të tyre për rezultatet e kontrollit, mirëpo, gjatë rrugës përderisa ishin duke lëvizur me veturë shohin se në një objekt që ka filluar të ndërtohet ka mungesë të sigurisë në punë dhe vendosin të realizojnë një kontroll të paplanifikuar.
Mungesa e helmetave dhe pajisjeve të tjera për sigurinë në punë, si këpucët e përshtatshme dhe pajisjet e tjera, bënë që punimet në këtë objekt menjëherë të ndërpriten.
Nga fillimi i vitit KALLXO.com ka lansuar platformën për raportimin e shkeljeve të të drejtave të punëtorëve.
Mbi 100 raportime janë grumbulluar në javët e para prej kur platforma është lansuar dhe qytetarët kanë mundësinë të raportojnë.
Të drejtat e punëtorëve lidhen me kushtet e punës, kontratat e punës, pushimin e lehonisë, ushqimin, pagën e shumë të drejta që punonjësve që garantohen me ligjin e punës dhe kontratat e punës.
Momenti kur para syve të inspektorit punëtori ngjitet në mënyrë të rrezikshme në katin e dytë