Dosja e prokurorisë: Paratë e shtetit shkuan në promovimin e fushatës së ish ministres Dhurata Hoxha

Mbi 140 mijë euro të buxhetit të Shtetit të cilat ishin destinuar për informimin e drejtë të qytetarëve rreth liberalizimit të vizave përfunduan duke promovuar fushatën elektorale të ish-ministres Dhurata Hoxha për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Kështu përshkruhet në aktakuzën voluminoze të Prokurorisë Speciale përmes së cilës për afera korruptive po akuzohen ish ministrja Dhurata Hoxha dhe zyrtarët e tjerë të kësaj ministrie, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi.

Këto mjete kishin përfunduar në llogaritë e disa portaleve përmes kompanisë “PR Solutions” e cila e kishte marrë kontratën “Informimi i publikut për nevojat e MIE-së”.

Hetimet në lidhje më këtë rast kishin filluar pas hulumtimit të KALLXO.com dhe shkresave informuese të Zyrës Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova, të cilat kishin alarmuar prokurorinë për kontratat lobuese të Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe dyshimeve për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove nga kjo ministri.

Dosja: Si u fitua kontrata nga “PR Solutions”

Kontrata e Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe “PR Solutions” e cila ka pasur për qëllim informimin e publikut po dyshohet se është lidhur përmes aferave korruptive.

Në aktakuzën e PSRK-së, përshkruhet se kompania e cila ishte më e lira dhe që i kishte përmbushur të gjitha kriteret ishte larguar në mënyrë të kundërligjshme nga procesi i tenderimit. Për këtë arsye për keqpërdorim të detyrës po akuzohet Fitim Mustafa i cili ishte shef i prokurimit në MIE.

Ai po akuzohet se është përfshirë në afera korruptive në momentin kur e ka shpallur fituese kompaninë “PR Solutions” dhe jo kompaninë e cila kishte ofertuar me çmimin më të lirë.

Sipas prokurorisë “N.Sh. 2B”, ishte eliminuar nga gara në mënyrë të kundërligjshme edhe pse i kishte plotësuar të gjitha kriteret bazë të tenderit dhe ishte për 192 mijë euro më e lirë se sa kompania e cila në fund u shpallë fituese.

Akuza për shpenzimin e mjeteve

Kontrata me kompaninë “PR Solutions”, ishte nënshkruar nga ish ministrja Dhurata Hoxha e cila po akuzohet se i kishte shfrytëzuar mjetet e ministrisë për promovimin e fushatës zgjedhore.

Hoxha po akuzohet se kontratën që kishte për qëllim informimin e qytetarëve për procesin e liberalizimit të vizave e kishte përdorur për publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që përmbanin të arriturat dhe vizionin e saj. Dëmi që Hoxha ia ka shkaktuar buxhetit të Kosovës përshkruhet të jetë mbi 140 mijë euro.

Ndërsa Gëzim Dushi akuzohet se kishte lejuar zbatimin e këtyre video-spoteve dhe banerëve ndonëse ishin në kundërshtim me qëllimin e kontratës.

Në lidhje me zbatimin e kësaj kontrate po akuzohet edhe pronari i “PR Solutions”, Ekrem Tahiri i cili përshkruhet se kishte bërë promovimin e fushatës zgjedhore të kandidates Dhurata Hoxha edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e ofruara ishin në kundërshtim me qëllimin e kontratës.

Ku përfunduan paratë e MIE-së

Dosja e PSRK-së, përshkruan se mijëra euro të cilat ishin ndarë për informimin e drejtë të qytetarëve rreth liberalizimit të vizave përfunduan duke promovuar fushatën politike të ish ministres Dhurata Hoxha e cila ishte kandidate për deputete në zgjedhjet e 6 tetorit.

Këto para kishin shkuar në llogaritë e dhjetëra portaleve përmes kompanisë “PR Solution”, e cila ishte duke e zbatuar kontratën për informimin e qytetarëve për nevojat e MIE-së.

Portalet të cilat përfituan nga kontrata e “PR Solution” me MIE-në, sipas PRSK-së janë: Periskopi, Veriu.info, Ekonomia Online, Rrokum.tv, Epoka e Re, Gazeta Tribuna, Kosova Press, Koha.net, Gazeta Metro, Klan Kosova, Indeksonline, Ora.info, Gazeta Newborn, Ballkan.info, Reporteri, Gazeta Express, Telegrafi dhe Drenica press.

Deklaratat e të akuzuarve

Ish ministrja Dhurata Hoxha i ka mohuar akuzat për keqpërdorim në zbatimin e kontratës që kishte për qëllim informimin e qytetarëve për interesat e MIE-së. Hoxha ka deklaruar se fushata e saj është financuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe se promovimi i saj është bërë në rrjetin social në Facebook.

Të pafajshëm janë deklaruar edhe shefi i prokurimit Fitim Mustafa dhe zyrtari Gëzim Dushi, të cilët mohojnë të jenë përfshirë në keqpërdorim të detyrave të tyre.

Njëjtë është deklaruar edhe pronari i kompanisë “PR Solutions”, i cili thekson se i ka zbatuar kërkesat e MIE-së, ndërkaq e pranon se kabineti i ministres i kishte kërkuar të shkonin të xhironin një video për ministren mirëpo nuk e dinë se sa ka qenë kostoja e këtij shërbimi.

Akuza për përdorim të mjeteve shtetërore për interesa personale nuk është e vetmja me të cilën po ngarkohet ish ministrja, Dhurata Hoxha.

Ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale edhe në vitin 2021, pas hulumtimit të publikuar nga KALLXO.com, në lidhje me kontratën e lobimit, të nënshkruar në vitin 2019 me kompaninë nga Parisi, e cila në fund kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi.

Në këtë rast bashkë me të po akuzohen edhe ish sekretari i ministrisë, Kushtrim Cukaj dhe zyrtarët e F. M., D. Sh., N. O.

Hulumtimi i KALLXO.com kishte zbardhur se në vitin 2019 Ministria e Integrimeve Europiane e Kosovës i pagoi 168,000.00 euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi. Asokohe, kjo ministri drejtohet nga Dhurata Hoxha e PDK-së.

Sipas dokumenteve të siguruara nga KALLXO, mes tjerash, kompania ishte e ngarkuar të formësojë një mendim evropian në favor të asaj që përshkruhet si “pozicioni i Kosovës” që mbështet “modifikimin territorial” si një mjet për të arritur një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Kontrata me ‘Majorelle’ u nënshkrua dhe u negociua në vitin 2018 nga Dhurata Hoxha, Ministre e atëhershme për Integrime Evropiane nga radhët e PDK-së në qeverinë e koalicionit PAN të udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Kjo kontratë u vazhdua më pas në mars të vitit 2019.

Pas hulumtimit nga KALLXO.com, ngritet aktakuzë kundër Dhurata Hoxhës për kontratat lobuese