Qeli burgu - Foto: REL/Shutterstock

Pas raportimit të KALLXO.com, i dyshuari për rrahje të gruas kthehet në qeli

Një burrë është arrestuar gjatë ditës së sotme dhe është dërguar në ndalim për 48 orë pasi u intervistua për të dytën herë nga hetuesit në lidhje me pretendimet se rrahu gruan e tij.

Rastin në oret e hershme të mëngjesit e pranoi KALLXO.com derisa familjarët e viktimës kanë rrëfyer se gruaja u rrah nga burri me grushte dhe me rrip.

Viktima ishte ndjerë e kercënuar pasi burri i saj ishte liruar në procedurë të rregullt ndërsa ajo posedonte të gjitha raportet mjekësore se kishte përjetuar dhunë të rëndë fizike.

Ekipi i KALLXO.com informatat e marra nga viktima i ka transferuar në Prokurorinë e Ferizajt, e cila më pas kishte thirrur viktimën për intervistim sot pasdite.

Policia në Ferizaj mbrëmë kishte marrë informacionin për një rast të dhunës në familje në rrugën “Ali Hadri”.

Ngjarja kishte ndodhur pak para mesnatës.

Pas intervistimit nga policët të të dyshuarit dhe viktimës, me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari I.S. ishte liruar në procedurë të rregull hetimore.

Sot pasi KALLXO.com pranoi informacionet nga familja e viktimës njoftoi Prokurorinë e Ferizajt.

Prokuroria menjëherë kishte reaguar dhe kishte ftuar viktimën sot në intervistim, por edhe të dyshuarin.

Ai u intervistua dy herë brenda 24 orëve ndërsa në herën e dytë ai u ndalua me urdhër të Prokurorisë.

Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe zëdhënësi i Policisë në Ferizaj, Kanun Veseli.

“Sot pasi është intervistuar sërish nga policët hetues, i njëjti me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar për 48 orë për procedura tjera hetimore” – tha Veseli për KALLXO.com.

Nga rasti i dhunës në familje rasti është cilësuar edhe lëndim i lehtë trupor.