Pas më shumë se 20 viteve punë, Aeroporti ia ndërpret kontratën kryesindikalisitit Bashkim Latifi

Të martën, kryetari i sindikatës së punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, Bashkim Latifi është larguar nga puna pas më shumë se 20 viteve punë aty.

Latifi për KALLXO.com ka thënë se largimi i tij nga puna, vjen si ‘hakmarrje’ pas grevës të cilën e kanë mbajtur në gusht të vitit 2019.

“Prej dje punëdhënësi im më ka larguar prej punës me një vendim të pambështetur në ligje. Kjo ka ndodhur për shkak që vitin e kaluar dhe në fund të vitit 2019 kemi organizuar greva, për të kërkuar të drejtat tona”, tha ai.

Tutje Latifi ka theksuar se që nga ajo kohë nga kjo ndërmarrje janë larguar nga puna 57 punëtorë, të gjithë anëtarë të sindikatës.

“Punëdhënësi ynë fillimisht pas grevave ka larguar tre punëtorë, dhe pastaj ka filluar me largimin e punëtorëve të tjerë, gjatë janarit ka larguar 26 punëtorë dhe me 3 mars ka larguar edhe 28 punëtorë, të gjithë pjesëmarrës në greva dhe të gjithëve ju ka hakmarrë sepse kanë qenë protestues të vijës së parë”, tha ai.

Latifi ka tutje ka treguar se nga puna së pari është suspenduar dhe pastaj e kanë larguar. Për suspendimin e tij, ai kishte bërë ankesë edhe tek komisioni disiplinor i kësaj ndërmarrjeje, por ankesa e tij ishte hedhur poshtë si e pa bazuar.

“Mua si kryetar sindikate më kanë suspenduar njëherë përkohësisht dhe dje më kanë larguar prej punës. Arsyetimi është se pse e kam ndërruar vendin e karrigeve në një zyrë ku punojmë 2 punëtorë, punëtori i X-ray dhe punëtori i sigurimit”, tha ai.

Sipas vendimit të marrë me dy mars, të siguruar nga KALLXO.com,  Latifi është larguar nga puna për shkelje të lehtë disiplinore (duke lënë vendin e punës të pambikëqyrur pa arsye si dhe neglizhim i detyrave që reflektojnë në performancën e punës).

Si dhe shkelje të rëndë (dështim në kryerjen e detyrave si dhe performancë e dobët).

Latifi thotë se këto janë disa nga format e presionit që janë duke iu bërë në vazhdimësi punëtorëve sindikalist.

“Presionet janë të ndryshme, duke filluar nga hedhja në komisione disiplinore të punëtoreve të pa bazë, pastaj dënimet punëtorëve, anëtari i sindikatës dënohet kurse ai që është për të njëjtën vepër nuk e dënojnë, po iu hakmerren me perfomanca sepse shefi kryesorë që është tërë ditën me punëtorin e vlerëson punëtorin mirë, ndërsa menaxhmenti i operimeve e vlerëson dobët dhe kjo është një formë e presionit”, tha ai.

Latifi ka paralajmëruar se ndaj vendimit për në menaxhmetit do të bëjë ankesë, pastaj do t’i drejtohet edhe rrugëve ligjore.

Mirëpo për të mbetet shqetësues fakti që i është ndaluar operimi në zyre të sindikatës.

“Më kanë ndaluar aktivitetin sindikal, më kanë ndalur qasjen në zyrën e sindikatës të cilën e kam me marrëveshje të rregulluar me menaxhmentin dhe më kanë ndaluar qasjen tek punëtorët e mi dhe nuk po mundem të komunikoj me ta. Prej fundit të dhjetorit më kanë ndaluar aktivitetin sindikal”, tha ai.

Për këto pretendime të kryesindikalisitit, KALLXO.com ka kontaktuar Valentina Garën, zëdhënëse e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’.

Gara ka konfirmuar që largimi i Latifit është bërë për shkak të shkeljeve disiplinore, por nuk ka dhënë përgjigje nëse këto janë veprime ‘hakmarrëse’ për shkak të grevës së mbajtur.

“Largimi i z. Bashkim Latifi  është bërë në bazë të disa shkeljeve të rënda disiplinore.  Ai poashtu ka në posedim të gjitha vendimet e komisioneve disiplinore dhe vendimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme.  Për shkak të konfidencialitetit në nuk mund t’i ndajmë këto dokumente me ju, mirëpo ju mund t’i kërkoni nga z. Latifi”, tha ajo.

Gara ka sqaruar se përse Bashkim Latifi nuk mund të kryejë detyrën e tij si kryesindikalist brenda ANP-së.

“Sa i përket aktivitetit të Sindikatës së Punonjësve, ne nuk i kemi ndaluar asnjë aktivitet të tillë, mirëpo për shkak se zyra e sindikatës  është në zonën e kufizuar të sigurisë atij nuk i lejohet një çasje fizike aty”, tha ajo

Në shkurt të vitit të kaluar, KALLXO.com kishte raportuar për largimin pa paralajmërim të 23 punëtorëve të mirëmbajtjes nga puna.

Për këta, si dhe punëtorë të tjerë të larguar, Inspektorati i Punës kishte kërkuar nga LIMAK-u kthimin e tyre në punë.

Për shkak të mos respektimit të vendimit të Inspektoratit, mbi 50 punëtorë të larguar nga puna kanë nisur betejën ligjore në Gjykatë për kthim në vendin e tyre të punës.