Paraburgim për 3 të ndaluarit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Gjykata e Pejës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj 3 të ndaluarve gjatë ditës së djeshme në lidhje me vrasjen e trefishtë që ka ndodhur më 26 nëntor në Gllogjan të Deçanit.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Sami Sharraxhiu, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për masën e paraburgimit.

“Të pandehuve H.M., K.M. dhe M.M. iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit i kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

“Gjykata ka aprovuar propozimin e prokurorisë për caktim të paraburgimit duke pas parasysh dënueshmërinë e lartë të vepres penale nga neni 173 i KPRK-se, faktit se ende nuk janë dëgjuar dëshmitarët dhe të dëmtuarit, fakti se bëhet fjalë për të pandehur që kanë lidhje familjare si dhe duke pas parasysh peshën e veprës dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra dhe pasojat e mëdha të shkaktuar me këtë rast, rrethana këto që tregojnë rrezikun real se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri apo nën një masë tjetër të sigurisë, të njejtit do të arratisen, do të ndikojnë në dëshmitar osë të dëmtuar, të fshehin prova si dhe të bashkërendojnë mbrojtjen e tyre e me kete te pamundesojne zbardhjen e plote te rastit”, thuhet tutje në njoftim.

Prokuroria e Pejës ka njoftuar sot se tre personat që janë ndaluar dje dyshohen për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, sot në Gjykatën e Pejës ka paraqitur kërkesën për caktimin e paraburgimit për 3 të dyshuarit.

Tre persona janë vrarë dhe një ka mbetur i plagosur në sulmin me Kallashnikov ndaj një autobusi që po transportonte nxënës dhe po kthehej nga Gjakova.

Të vrarët janë shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

Pas lajmit për këtë vrasje të trefishtë në Gllogjan kanë shkuar krerët e institucioneve më të larta të drejtësisë, Policisë por edhe të institucioneve qeveritare.

Pas hetimeve të gjata, Prokuroria e Pejës ka njoftuar dje për arrestimin e tre të dyshuarve.

Të ndaluarit për këtë rast janë familjarë ndërmjet vete (babai dhe dy djemtë).