Xhafer Gashi, Jeta në Komunë. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Papastërtia dhe kundërmimi në nënkalimin në Milloshevë, Gashi ia hedh fajin Ministrisë së Infrastrukturës

Fshatin Milloshevë të Obiliqit e ndan në gjysmë magjistralja Prishtinë-Mitrovicë. Për shkak të numrit të madh të veturave që kalojnë gjatë ditës në këtë magjistrale, Ministria e Infrastrukturës ka ndërtuar nënkalim, i cili shfrytëzohet nga qytetarët e këtij fshati.

Ky nënkalim përdoret më së shumti nga nxënësit e këtij fshati, pasi që shkolla është shumë afër me lokacion.

Mirëpo, nënkalimi është shumë i papastër, për shkak të mbeturinave dhe aromës së rëndë.

Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, i ballafaquar me ankesën e qytetarëve të këtij lokacioni, fajin e ka hedhur te Ministria e Infrastrukturës, si institucioni përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale.

“Nënkalimet janë të Ministrisë së Infrastrukturës. Ne kemi bërë disa herë ankesa sepse ky nuk i plotëson kushtet për nënkalim. Sa herë bie shi, mbushet me ujë nënkalimi. Kemi kërkuar nga ministria që duhet me trajtu dhe mirëmbajtë. Ministria duhet m’i mbikëqyrë edhe me pastru”, tha kryetari Gashi.

“Shpeshherë i pastrojmë edhe na, por është përgjegjësi e Ministrisë”, tha Gashi i cili e pranoi se ai asnjëherë nuk ka ecur në këtë nënkalim.

Të ftuar në studio janë edhe tre asamblistë, dy prej tyre nga opozita, Aziz Bici nga Vetëvendosje dhe Nazmi Gashi nga Nisma Socialdemokrate si dhe nga pozita, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Obiliqit, Burim Gërguri.