Pandemia godet ekonominë, 35 biznese të rëndësishme "i kanë ndalë investimet" në Kosovë

Gjendja e rëndë e krijuar pas fillimit të pandemisë ka ndikuar në mbylljen e një numri të madh të bizneseve derisa disa biznese nuk janë mbyllur me shpresën e rifillimit të aktivitetit dhe përkrahjes nga shteti.

Sipas njohësve të ekonomisë, nëse Qeveria nuk do të jetë e arsyeshme për të mbështetur sektorin privat deri në fund të vitit do të kemi rezultate shumë më negative sa i përket mbylljes së bizneseve.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa thotë në një intervistë për Televizionin 21 se pandemia ka ndikuar në mbylljen e bizneseve, kurse sipas tij, pasiguria e qytetarëve ka bërë që të mos ketë rritje të bizneseve të reja.

“Rritet edhe pasiguria për hapjen e bizneseve të reja. Të gjitha bizneset që i kemi anketu në raport kanë qenë diku 35 biznese të rëndësishme që kanë pas në plan të investojnë sivjet prej 50 mijë deri në 3 milionë në Kosovë. Të gjitha janë ndërprerë për një kohë”, ka thënë ai.

Sipas Mustafës dhe njohësit të çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, politika në Kosovë nuk ka zgjidhje tjetër përveç zhvillimit ekonomik, ndërsa riaktivizimi i investimeve varet nga mbështjetja që do jap pako ekonomike/RTV21.