Trepça, Foto: KALLXO.com

Pse s’po realizohet kredia e zotuar për 'Trepçën', flet ministrja Rizvanolli

Tetë muaj më parë, në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës, u mor një vendim që Ndërmarrjes Publike “Trepça” t’i ndahet një kredi prej 20 milionë eurove. Atë kohë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se investime të mëdha do të ndodhin në minierat e “Trepçës”.

Por, kredia për të cilën u mor një vendim qeveritar, nuk u realizua ende.

Të enjten gjatë një konference për media, pyetur nga KALLXO.com, Rizvanolli dha arsyet e mosrealizimit të kësaj kredie.

“Realizimi i saj varet kryekëput nga ndërmarrja, në kuptim të përgatitjes së procedurave të prokurimit dhe identifikimit furnizuesve” – tha ajo.

“Kompania tanimë ka pasur kontakte fillestare me prodhuesit dhe tani edhe me një bord të ri që e kemi emëruar, presim një dinamikë të re dhe finalizimin e kësaj kredie” – ka deklaruar Rizvanolli.

KallxoPernime raportoi më 1 tetor 2023 se kushtet e punës në minierën e Stan Tërgut janë të vështira. Minatorët kanë mungesë të pajisjeve elementare të punës, siç janë dorezat e çizmet ndërsa, në disa horizonte, makineritë kanë mbetur jashtë funksionit sepse nuk kanë pajisje rezervë.

Shefi i Qeverisë së Kosovë, Albin Kurti, sa ishte në opozitë kritikonte fort partitë e tjera që, sipas tij, kishin lënë ndërmarrjen publike “Trepça” pas dore.

Gjatë një vizite në fund të muajit janar në vitin 2021, Kurti thoshte se mosinvestimi në “Trepçë” është krim.

“Nuk mund të kemi minatorë me produktivitet të duhur në këto kushte kështu, mesjetare. Mosinvestimi në “Trepçë” është një ndër krimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës sepse nuk është krim vetëm kur bën diçka keq por edhe kur s’bën diçka mirë e, e ke përgjegjësinë për diçka të tillë…” – deklaronte Albin Kurti.

Disa muaj pasi erdhi në krye të Qeverisë, Kurti kishte premtuar investime të mëdha në ndërmarrjen që dikur kishte nam jo vetëm në Kosovë.

“Në dy vitet në vijim do t’i ndajmë së paku 70 milionë euro për investime në “Trepçë” për vitet 2022 dhe 2023. Me projektin tonë, për Fondin Sovran e kemi vendosur në qendër të zhvillimit të ardhshëm ekonomik “Trepçën”” – thoshte Kurti më 20 tetor 2021.

Por, investimet e premtuara për “Trepçën” nuk u bënë realitet ende. Deri më tani, Qeveria që Albin Kurti drejton nuk ka ndarë më shumë se 15 milionë euro për ndërmarrjen publike. Shumica e parave të ndara kanë shkuar për paga.

Çfarë premtonte Albin Kurti për “Trepçën”?