Padia e 8 gjyqtarëve për diskriminim në paga, KGJK jep sqarim pse ka ndodhur kjo situatë

Në muajin tetor të vitit të kaluar, KALLXO.com pati raportuar se 8 gjyqtarë nga gjykatat e vendit kishin paditur Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për, siç pretendojnë ata, diskriminim në paga.

Sipas padisë, ata janë paguar më pak se kolegët e tyre ndonëse kanë kryer të njëjtat punë dhe detyra dhe kanë kualifikim të njëjtë.

Ky grup gjyqtarësh po kërkojnë nga KGJK që t’ua kompensojë diferencën në paga, që përfshin secili shumën mbi 1,000 deri në 5,000 euro.

“Borxhi” total që KGJK-ja po pretendohet se ua ka këtyre gjyqtarëve kap shumën rreth 25 mijë euro.

“E paditura (KGJK) i ka diskriminuar paditësit në pagë nga se për të njëjtat punë dhe detyra si dhe kualifikimi i njëjtë i paditësve me kolegët e tyre të cilët punojnë në një institucion të njëjtë dhe nuk kanë trajtim të barabartë njëherë nuk kanë pagë të njëjtë ashtu që paditësit ndihen të diskriminuar”- thuhet në padinë në fjalë të datës 24 maj të vitit 2023.

Ky kompensim po kërkohet për periudha të ndryshme, varësisht prej kohës kur gjyqtarët ishin caktuar në pozitën e gjyqtarit në departamentin përkatës.

Provat me të cilat gjyqtarët mbështesin pretendimet e tyre përfshijnë vendime të kryetarëve të gjykatave gjegjëse, në të cilat gjyqtarët janë caktuar në pozitat e tyre, vendime të KGJK-së dhe lista të rrogave.

Çka e shkaktoi këtë dallim sipas KGJK-së?

Këshilli Gjyqësor në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se diferenca e pagës qëndron për shkak të mospërputhjeve të dispozitave ligjore të Ligjit për gjykatat.

Pas hyrjes në fuqi të Ligjit të fundit për gjykatat, gjyqtarët e Departamenteve për Krime të Rënda kanë pranuar pagën prej 80% të kryetarit të Gjykatës Themelore.

Ndërsa, para hyrjes në fuqi të këtij Ligji ka qenë në fuqi Ligji Nr. 03/L-199, ku ishte paraparë që paga e gjyqtarit të Krimeve të Rënda ka qenë 90% e pagës së kryetarit të Gjykatës Themelore.

Gjyqtarëve që ishin të caktuar në Departamentin për Krime të Rënda para datës 18 dhjetor 2018, kur ka hyrë në fuqi Ligji Nr. 06/L-054, nuk mund t’u zbritej paga, kurse gjyqtarët e caktuar pas kësaj date janë duke u kompensuar (paguar) me 80%.

“Gjyqtarët të cilët ishin të caktuar në departamentin për krime të rënda para datës 18 dhjetor 2018 kompensoheshin me 90% të pagës së kryetarit të gjykatës dhe në bazë të nenit 2 i Ligjit Nr. 06/L-054 të datës 18 dhjetor 2018 ishte e pa mundur që këtyre gjyqtarëve t’ju zbritej paga në nivelin e përcaktuar prej 80% siç parash neni 35 paragrafi 1.7 i Ligjit Nr. 06/L-054. Ndërsa gjyqtarët e caktuar pas kësaj date janë duke u kompensuar prej 80% të kryetarit të gjykatës që përcaktohet në nenin 35 pika 1.7, prandaj dallimi është si rezultat i mos përputhjes së dispozitave ligjore të lartpërmendura” – thuhet në përgjigjen e KGJK-së.

Diferenca në pagë për këta gjyqtarë kalon shumën mbi 200 euro në pagën mujore.

Këshilli Gjyqësor ka thënë për KALLXO.com se do ta trajtojë këtë çështje në frymën e aktgjykimit, parimit të trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat në sektorin publik.