Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
OVL e UÇK-së thotë se edhe sot kanë pranuar dokumente të Gjykatës Speciale
Organizatat e Veteranëve të UÇK-së kanë thënë se prapë kanë pranuar dokumente të cilat sipas tyre, janë të Gjykatës Speciale në Hagë.
Në një konferencë për media, kryetari Hysni Gucati tha se në këto dokumente ka prova se Gjykata Speciale bashkëpunon me Prokurorinë serbe për të mbledhur dosje kundër shqipatëve.
“Zëvendësprokurori i Gjykatës Speciale të Serbisë është njëri prej tyre që ka mbledh dosje se kinse shqiptarët kanë kryer krime dhe ka dorëzu në Gjykaten Speciale. I dyti ështëe Milorad Veloviq është drejtor gjeneral i Policisë në Serbi, që ka mbledhur dosje, në bashkëpunim me prokurorë të Gjykatës. Ne nuk kemi pasur mundësi me i kontrollë, sepse kaën ardhur në ora 15:30”, tha Gucati.
Ndërsa sekretari Nasim Haradinaj tha se në këto dokumente shihet komunikimet e prokurorëve të Speciales me zyrtarë të shtetit serb.
“Ajo se çka pamë ne këtu është se këto komunikime janë bërë për rrethin e Drenicës, Llapit, Radoniqin, Jabllanicëm. Kjo gjykatë ka bërë dy poshtërsi, është një etnike dhe duke u thirrur në emër të marrjes së dosjeve, është duke bashkëpunuar me punëtorë të Millosheviqit”, tha Haradinaj.
Kjo është hera e dytë që nga persona të panjohur dorëzohen dosje në zyret e OVL-UÇK-së. E sipas drejtuesve të kësaj organizate, këto dosje janë të Gjykatës Speciale.