Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Osmani: Zyrtarët e BE-së mos të kundërshtojnë luftën e institucioneve tona kundër krimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk pajtohet me konstatimet e nxjerra në raportin e BE-së për Kosovën sa i përket çështjes së Vettingut.

Osmani në një konferencë për media tha se procesi i Vettingut duhet të përshpejtohet e assesi të ndalet. Ajo shtoi se vettingu është i domosdoshëm për Kosovën.

“Sa i përket Vettingut, Komisioni Evropian konstaton se rivlerësimi i plotë i njëhershëm i të gjithë prokurorëve paraqet një burim shqetësimi serioz. Si presidente e vendit nuk pajtohem me këtë konstatim. Në fakt, mungesa e Vettigut do të duhet të ishte shqetësim serioz dhe jo përmbushja e këtij procesi. Mosrealizimi i Vettingut nuk i kontribuon as përpjekjeve të Republikës për garantim dhe sigurim të ligjit, e as të ardhmes evropiane. Vettingu është i domosdoshëm për Kosovën. Për vite me radhë raporte të ndryshme e kanë nxjerr Kosovën si të dobët në sistemin e drejtësisë. Prandaj kërkoj që ky proces të vazhdojë”, u shpreh ajo.

Tema e dytë që presidentja përmendi është edhe gjendja në komunat veriore.

Ajo tha se zyrtarët e BE-së duhet t’i qëndrojnë prapa deklaratës së Komisionit Evropian sa i përket luftimit të krimit e korrupsionit nga institucionet e Kosovës në çdo pjesë të vendit, e sidomos në veri.

“Komisioni Evropian e konfirmon sërish së situata në veri është sfiduese. Ne kërkojmë nga zyrtarët e BE-së t’u qëndrojnë besnikë këtyre deklaratave në mënyrë që sa herë institucionet ligjzbatuese luftojnë krimin dhe korrupsionin, kontrabandën, ta kemi përkrahjen e këtyre zyrtarëve e jo kundërshtimin e tyre”, tha ajo.

Komisioni Evropian miratoi të martën Raportin e Progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.

Situata në veri të Kosovës mbetet sfiduese veçanërisht në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar, ka vlerësuar Komisioni Evropian në Raportin e Progresit të publikuar të martën.

Ky vlerësim në fakt është në kundërshtim me qëndrimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhënë gjatë aksionit anti-kontrabandë të Policisë së Kosovës në veri më 13 tetor.