Osmani uron mbretin Charles III: Kosova pret që raportet me Britaninë të përforcohen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Mbretin Charles III për ngritjen në fronin e Mbretërisë së Bashkuar.

Me ardhjen e tij në pushtet, Osmani ka thënë se Kosova pret që të forcojë marrëdhëniet me Britaninë e Madhe.

Ajo ka shtuar se beson që lidhjet mes dy vendeve, do të vazhdojnë të forcohen nën sundimin e tij.

“Urime të përzemërta për Mbretin Charles III për ngjitjen në fron. Ne jemi mirënjohës për përkushtimin e Madhërisë së tij ndaj aleancës Kosovë-Mbretëri e Bashkuar, siç u konfirmua gjatë vizitës së tij në vitin 2016. Ne kemi besim se lidhjet tona do të vazhdojnë të forcohen nën sundimin e tij”- ka shkruar Osmani në rrjetin social twitter.

Mbretëresha britanike ka vdekur më 8 shtator në moshën 96-vjeçare.

Ajo ka mbajtur fronin në Mbretëri të Bashkuar për 70 vjet, duke u bërë monarkja më jetëgjatë në këtë shtet.

Charles III është bërë mbret në momentin që i ka vdekur nëna, mirëpo sipas traditave, Këshilli i Aderimit është mbledhur të shtunën dhe e ka zyrtarizuar pozitën e tij.