Osmani tregon nëse në Parlamentin Evropian iu përmendën sanksione ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se nuk është përmendur asnjëherë fjala sanksion në takimet që ajo ka realizuar gjatë qëndrimit të saj në Strasburg të Francës.

“Jo në asnjë moment [Nuk është përmendur fjala ‘sanksion’]. Parlamenti Evropian është një institucion që ka përkrahur Kosovën për dekada, siç e dini PE ka qenë institucioni i parë që i ka hapur dyert presidentit Rugova në një kohë kur nuk është dëgjuar zëri ynë, edhe sot e kemi një mik të madh do të thoja në këtë institucion” – është shprehur Osmani.

Këtë deklaratë ajo e dha në konferencën e mbajtur pas adresimit të saj në Parlamentin Evropian.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar sot se shtetet anëtare janë dakorduar që t’i vendosin ‘masa kufizuese’ me efekt të menjëhershëm ndaj Kosovës, por nuk i ka quajtur ato sanksione., pas zhvillimeve në veri të Kosovës.

Në një konferencë për media të mbajtur sot, zëdhënësi i BE-së ka thënë se disa nga këto ‘masa kufizuese’ ende janë duke u diskutuar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot iu adresua deputetëve të Parlamentit Evropian në Strasburg lidhur me arritjet e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Liri, Pavarësi, Demokraci”, ishin tre fjalët me të cilat fillimisht në gjuhën shqipe më pas në gjuhë të huaja presidentja Osmani e nisi fjalimin e saj, duke e cituar ish presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.