Osmani takohet me zv/kryeministrin italian, diskutojnë për marrëveshjen e Ohrit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim në Romë me zëvendëskryeministrin, njëkohësisht ministrin e Jashtëm italian, Antonio Tajani.

Sipas një komunikate për media, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, marrëdhëniet bilaterale, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit për kultivimin dhe ruajtjen e kulturës dhe identitetit të arbëreshëve në Itali.

Temë e diskutimit mes Osmanit dhe Tajanit, sipas njoftimit ka qenë edhe rëndësia e marrëveshjes dhe aneksit të dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë së fundi në Bruksel dhe në Ohër.

“Osmani potencoi se Kosova ka dëshmuar sërish konstruktivitetin e saj në proces dhe poashtu zotimin për të zbatuar atë për të cilën është dakorduar, duke qenë palë serioze dhe plotësisht e përkushtuar për dialog. Në anën tjetër, Presidentja shtoi se pritjet e qytetarëve të Republikës së Kosovës janë që do të përmbushen edhe zotimet e partnerëve tanë, me theks të veçantë në integrimin e Kosovës në strukturat eurotlantike”- thuhet në njoftim.

Në kumtesë bëhet e ditur se, presidentja në takim ka folur edhe për çështjen e votimit në Këshillin e Europës duke theksuar urgjencën e një vendimi të tillë si dhe rëndësinë e anëtarësimit në këtë organizatë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie, religjioni apo përkatësie tjetër.

“Presidentja Osmani dhe zv. Kryeminstri Tajani u pajtuan për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke e zgjeruar nivelin e marrëveshjeve të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë atë për njohjen e patentë shofereve të Kosovës, nxitjen e bashkëpunimit ekonomik nëpërmjet forumit të bizneseve që do të organizohet së shpejti në mes të Kosovës e Italisë, thellimit të bashkëpunimit kulturor, arsimor, etj”- thuhet në njoftim.

Më tej, Osmani ka njoftuar  zëvendëskryeministrin Tajani edhe për vizitën e zhvilluar në Kalabri në mesin e komunitetit arbëresh.