Foto: ZPRK

Osmani takohet me ambasadorin Hovenier, flasin për dialogun e situatën e sigurisë në vend

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

Ata kanë biseduar për zhvillimet e fundit në vend e rajon, procesin e dialogut dhe situatën e sigurisë në vend.

Sipas njoftimit, Osmani ka nënvizuar edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në për të fuqizuar prezencën e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Të hënën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se dialogu është i suksesshëm vetëm kur të ketë zbatim të plotë të marrëveshjes.

Ajo thotë se adresa e presionit duhet të jetë Beogradi sepse arsyeja pse nuk po zbatohen marrëveshjet është Beogradi.

“Siç e dini, më 26 tetor Kosova ka ofruar që të nënshkruhen marrëveshje në mënyrë që pala serbe të mos i ikë pastaj obligimeve për zbatim. Serbia nuk ka shprehur gatishmëri për të nënshkruar e aq më pak për të zbatuar. Pa zbatim të plotë të marrëveshjes nuk mund të flasim për dialog të suksesshëm. Nëse injorohet fakti që Serbia po mohon zbatimin e marrëveshjes unë nuk pres dialog të suksesshëm” – deklaroi Osmani.

Osmani: Adresë e presionit duhet të jetë Beogradi që nuk po zbaton marrëveshjet