
Foto: ZPRK
Osmani shpreson që shtetet islamike ta njohin Kosovën
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në New York ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), Hissein Brahim Taha.
Sipas një komunikate për media, gjatë takimit, Osmani shprehu vlerësimin për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm të OIC-së, veçanërisht për Rezolutën vjetore të inicuar nga OIC-së, e cila bën thirrje për njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate.
“Në këtë frymë, Presidentja shfaqi shpresën që shtetet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë në një të ardhme të afërt. Presidentja Osmani dhe Sekretari i Përgjithshëm Taha përsëritën përkushtimin e tyre për nxitjen e marrëdhënieve më të fuqishme e produktive ndërmjet Kosovës dhe OIC-së”- thuhet në njoftim.
Në kumtesë bëhet e ditur se presidentja ka shtruar nevojën e eksplorimit të fushave të mundshme për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe shteteve anëtare të OIC-së.
“Sipas presidentes Osmani, Kosova ka potencial të konsiderueshëm të pashfrytëzuar për investime të huaja në sektorë të ndryshëm. Në këtë kontekst, presidentja Osmani shtroi nevojën e eksplorimit të fushave të mundshme për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe shteteve anëtare të OIC-së, me fokus të veçantë në tregti dhe investime” – theksohet në komunikatë.
Në takim, Osmani i ka bërë ftesë sekretarit Taha që në të ardhmen e afërt të vizitojë Kosovën për t`i shqyrtuar më tej mundësitë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.