Osmani priti në takim ambasadoren e Finlandës

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadoren e Finlandës e Kosovës, Pija Stjernvall, e cila theksoi se pritshmëritë ndaj institucioneve të reja janë të mëdha, gjersa konfirmoi gatishmërinë e Finlandës për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj përpara.

Sipas një komunikate të Presidencës, Osmani e falënderoi ambasadoren Stjernvall për mbështetjen e Finlandës gjer me tash, duke thënë që raportet në mes të dy vendeve janë të shkëlqyeshme dhe që qeverisja e re është e gatshme të punojë në thellimin e tyre.

Palët diskutuan edhe për vaksinat dhe nevojën për mbështetje të të gjithë partnerëve për Kosovën në drejtim të sigurimit të vaksinave për qytetarët. Presidentja Osmani tha se orientimi i Kosovës është i qartë.

“Edhe në këtë sfidë pandemike, orientimi properëndimor i Republikës së Kosovës ka qenë i paluhatshëm dhe një qasje e tillë duhet të vlerësohet dhe jo të ndëshkohet”, citohet të ketë thënë presidentja.

“Në takim u diskutua edhe për procesin e dialogu me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani theksoi se sigurimi i vaksinave është parakusht në mënyrë që institucionet të mund të angazhohen efektivisht në çfarëdo procesi tjetër, duke përfshirë edhe atë të dialogut. Sipas saj, në dialog shkohet për efektshmëri dhe arritje të rezultateve që përfundimisht do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Të dyja palët konfirmuan gatishmërinë për zgjerim të bashkëpunimit dhe komunikim të rregullt për bashkërenditje të angazhimit në këtë drejtim”, thuhet në komunikatën e Presidencës.